FILLON GJYKIMI NDAJ BUJAR KRASNIQIT, I AKUZUAR PËR LËNDIM TË LEHTË TRUPOR

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Bujar Krasniqi, i akuzuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nuk e pranoi fajësinë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Ai u deklarua se nuk e ka goditur të dëmtuarin Remzi Bajrami ashtu siç pretendohet në aktakuzë.

Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit, Ismet Rrahmani dhe deklarimit të akuzuarit për mos pranim të fajësisë, kryetarja e trupit gjykues Hakile Ilazim njoftoi palën se brenda 30 ditëve mund t’i paraqes kundërshtimet dhe propozimet e tij.

Në këtë shqyrtim nuk ishte present i dëmtuari Remzi Bajrami, i cili sipas trupit gjykues, ishte ftuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në mars të vitit 2015, Bujar Krasniqi më 18 gusht 2013 i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit Remzi Bajrami. Bazuar në përshkrimin e aktakuzës, kjo kishte ndodhur pas një mosmarrëveshje në lidhje me pagesën e fshisave të xhamit të veturës. Fillimisht Bajrami ishte kacafytur me Ramadan Krasniqin, pastaj Bujar Krasniqi me të kuptuar rastin kishte goditur Remzi Bajramin me thikë në kokë. Kështu, sipas aktakuzës të dëmtuarit i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të cilat janë përshkruar edhe në ekspertizën mjeko-ligjore të datës 1 mars 2015.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë