Fillon gjykimi ndaj avokatit publik të Komunës së Prizrenit, Besim Morina

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren, 9 shkurt 2016 – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Besim Morina, avokat publik i Komunës së Prizrenit. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Morina akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke mos mbrojtur pronat e Komunës së Prizrenit, që sipas akuzës, e ka pasur për obligim me detyrat e vendit të punës dhe ligjit mbi Avokatinë Publike.

Prokurora pretendon se i akuzuari Morina, edhepse kishte qenë i obliguar, nuk e kishte përdorur mjetin e ankesës, për dy aktgjykime të shkallës së parë, me kontest pronësor, të cilat kishin shkuar në dëm të Komunës së Prizrenit.

Në seancën e së martës, i akuzuari Besim Morina, në mbrojtjen e tij, ka deklaruar se nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë ankesë ndaj aktgjykimeve të cekura në akuzë, sepse kanë qenë të vendosura sipas ligjeve pozitive dhe nuk ka gjetur bazë për t’i goditur. Ai ka paraqitur para gjykatës një shkresë me të cilën pretendon se Prokurori i Shtetit e ka njoftuar se në njërin rast të aktakuzës nuk ka shkelje të ligjit. Kjo rrethanë e ka detyruar prokurorin, të kërkoj ndërprerjen e seancës në mënyrë që të vërtetojë shkresën dhe pastaj të deklarohet rreth saj. Seanca e radhës është caktuar për datën 10 mars 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë