FILLON GJYKIMI I DREJTORIT TË SPITALIT RAJONAL TË PRIZRENIT, MYZAFER KALENDERI

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Myzafer Kalenderi, Drejtor i Spitalit Rajonal të Prizrenit. Kalenderi akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke marrë në punë dy punëtore, pa shpallur konkurs publik.

Mbrojtësja i të akuzuarit, Myrvete Qollaku, në fjalën hyrëse të saj ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të dëshmohet se në veprimet e të mbrojturit të saj nuk ekziston asnjë element i veprës penale për të cilën akuzohet nga prokuroria.

Në seancën e së martës, ka dëshmuar Qazim Gashi, drejtor i Administratës së Spitalit, i cili ka thënë se ai nuk është në dijeni se si janë punësuar dy punëtoret që theksohen në aktakuzë por se ato janë punësuar pa konkurs publik, që sipas tij, për pozita të punës me kohë të pacaktuar, kishte qenë obligativ konkursi publik. Më tej, dëshmitari ka shtuar se punëtoret së pari ishin punësuar me kontratë me kohë të caktuar, sepse dy punëtorë kishin shkuar në pushim të lehonisë. Pas kësaj, sipas tij, drejtori i spitalit ua kishte lidhur atyre kontratat me kohë të pacaktuar, pa shpallur konkurs publik.

Në këtë seancë, kanë dëshmuar edhe Albina Milaimi dhe Selevete Thaqi, të cilat ishin punësuar në spital nga i akuzuari, të cilat ndër të tjera thanë se ato kanë konkuruar në mënyrë të rregullt për vendin e punës dhe se nuk dinë se çka është dashur të veprohet apo të mos veprohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Ervehe Gashi, i akuzuari Myzafer Kalenderit, akuzohet se duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, nuk kishte vepruar në përputhje me ligjet në fuqi, me çka i kishte mundësuar personit tjetër, përfitim të paligjshëm, në atë mënyrë që kishte punësuar dy punëtore në pozitën e mamisë, pranë Spitalit të Prizrenit, fillimisht me kontratë mbi vepër, si zëvendësuese të dy punëtoreve tjera që kishin shkuar në pushim të lehonisë, ndërsa edhe pas kthimit të tyre në punë, punëtoret e reja kanë vazhduar të punojnë dhe për më tepër u është lidhur kontratë me kohë të pacaktuar, pa konkurs publik. Kryetarja e Trupit Gjykues, Ajser Skenderi, ka vendosur që seanca të ndërpritet dhe të njëjtën e ka caktuar për 18 mars 2016, në të cilën parashihet të lexohen provat materiale dhe i akuzuari të bëjë mbrojtjen e tij.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë