Fillon administrimi i provave në gjykimin ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve, gjykatësja kërkon nga avokatët të jenë më të përgatitur

IMG_5022
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Maj 26, 2021

Prishtinë – Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 36 të akuzuar të tjerë, të mërkurën kanë dal sërish para gjykatës për t’u përballur me akuzat për korrupsion me tendera.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 27 zyrtarë tjerë komunal.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky rast është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë mirëpo për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, seanca e së mërkurës është mbajtur në objektin e Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë.

Para fillimit të administrimit të provave, gjykatësja Nushe Kuka – Mekaj kërkoi nga prokurori Agron Bajrami që ta sqarojë mungesën e aktvendimit për fillim të hetimeve nga ish- Prokuroria e Qarkut në vitin 2012, pasi që në aktakuzë tha se ka prova të cilat janë marr nën zbatimin e masave të fshehta para nxjerrjes së aktvendimit nga PSRK.

Lidhur me këtë, prokurori Bajrami sqaroi se në këtë çështje penale nuk ka ndonjë aktvendim për fillim të hetimeve nga ndonjë prokurori tjetër dhe të gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr vetëm nga PSRK.

“Kurse sa i përket urdhëresave për masa të fshehta të lëshuara në vitin 2012, më saktë masa e lëshuar sipas urdhëresës së ish Gjykatës së Qarkut në Gjilan, e datës 07.11.2012 mbi përgjimin e telekomunikimeve si dhe ajo mbi zbulimin e të dhënëve financiare që mban të njëjtën atë janë të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake i ish-Gjykatës së Qarkut në Gjilan pas vlerësimit të bazës dhe ligjshmërisë së kërkesave të Prokurorisë Themelore në Gjilan” tha ai.

Ai tha se të gjitha provat janë të ligjshme për çka tha se është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Sipas prokurorit këto masa janë lëshuar konform Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale, i cili kod ishte në fuqi në kohën e lëshimit të atyre urdhëresave.

“E që në atë kohë nuk ishte kusht aktvendimi për fillim të hetimeve e as fillim të procedurës penale për nxjerrjen dhe zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, andaj konsiderojmë se këto masa janë të ligjshme” tha ai.

Në fazën e administrimi të provave, prokurori i rastit, Agron Bajrami deklaroi se mbështet prezentimin e provave të bërë më 18 tetor 2019, të bërë në këtë gjykatë.

Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues kërkoi nga prokurori që të elaboroj secilën provë veç e veç.

Prokurori Agron Bajrami tha se një gjë e tillë është bërë edhe më parë gjatë gjykimit para trupit të kaluar gjykues dhe se se kjo vetëm se e prolongon procedurën.

Mirëpo gjykatësja Kuka -Mekaj kërkoi nga prokurori që secilën provë të propozuar ta elaboroj dhe të tregoj se çka vërtetohet me secilën provë.

Më pas prokurori Bajrami bëri prezantimin e provave një e nga një, të cilat po ashtu i elaboroi dhe i arsyetoi sipas kërkesës së gjykatëses Kuka – Mekaj.

Secila provë e paraqitur dhe elaboruar nga prokurori u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Mustafa, avokatit Ismet Shufta.

Kundërshtimet e Shuftës u mbështetën edhe nga të akuzuarit tjerë me mbrojtësit e tyre.

Gjatë procedurës kur po bëhej administrimi i provave materiale dhe palët po i kundërshtonin provat, gjykatësja kërkoi nga avokatët që të jenë më të përgatitur.

“E di që shumica nga ju jeni të angazhuar ex-officio, mirëpo ju lus të jeni më të përgatitur, pasi që duhet t’i mbrojmë interesat e të akuzuarve”, tha gjykatësja Kuka – Mekaj.

Gjatë kësaj faze pati polemika lidhur me mos specifikimin e përgjegjësive dhe shkeljeve të kryetarit të komunës, shefes së prokurimit, të anëtarëve të komisionit, të mbikëqyrësve dhe të operatorëve ekonomik.

Ndryshe, para se të bëhej administrimi i provave, prokurori dhe mbrojtësit deklaruan se mbesin prapa fjalës hyrëse që kishin dhënë më parë në këtë rast.

Po ashtu, gjatë seancës të së mërkurës, dëshminë e tij e dha dëshmitari Bardhyl Syla, i cili tha se punon në Administratën Komunale në Komunën e Gjilanit nga vitit 2003, kurse me profesion tha se është jurist.

Ai tha se mbetet prapa deklaratës që kishte dhënë më 2 qershor 2016. Nga prokurori Bajrami, ai u pyet nëse ka marr ndonjëherë pjesë në komisionet vlerësuese për prokurim publik, por dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Më pas prokurori ia rikujtoi deklaratën e dhënë më parë dëshmitarit, ku kishte thënë se kishte qenë pjesë e komisionit për vlerësim në aktivitetin publik me numër GI65111058612.

“Jo nuk kam qenë, defacto nuk kam qenë”, ishte përgjigja e dëshmitarit.

Mirëpo sipas prokurorit, nga raporti i vlerësimit i këtij aktivitetit të prokurimit figuron edhe emri i tij si anëtar i komisioni mirëpo i njëjti është i panënshkruar, për çka kërkoi sqarime nga dëshmitari.

Por, dëshmitari insistoi sërish se nuk ka qenë pjesë e këtij komisioni.

“Ju keni qene pjesë e komisionit në disa vlerësime të aktiviteteve, nëse jeni anëtarë i komisionit duhet t’i dini edhe rregullat, a mund të vazhdohet pa prezencën e gjithë anëtarëve”, ishte pyetja e radhës e prokurorit në të cilën dëshmitari tha se me sa ka informacion ai, komisioni duhet të jetë i kompletuar.

“A keni qenë ndonjëherë pjesë e komisionit vlerësues për prokurim publik”, ishte pyetja e prokurorit në të cilën dëshmitari u përgjigj duke thënë se nuk kishte qenë.

Nga i akuzuari Qemajl Mustafa, dëshmitari u pyet nëse ka njohuri nëse Kuvendi i Komunës së Gjilanit i ka miratuar të gjithë hapat në dy procedurat e prokurimit që janë objekt i kësaj aktakuze.

Një gjë e tillë u pohua nga dëshmitari, i cili tha se pak a shumë ka qenë në njohuri.

“A jeni ju aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ishte pyetja pasuese e të akuzuarit Mustafa por e cila nuk u lejua nga trupi gjykues.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj se për çka kishte qenë në dijeni për këto dy procedura që u përmenden nga Mustafa, dëshmitari tha se unë nuk ka qenë i interesuar në detaje vetëm përgjithësisht tha se ka pasur në dijeni.

“A keni pas vendim që ju të jeni anëtarë i komisionit”, ishte pyetja e gjykatëses me dëshmitarin që deklaroi se nuk kishte pasur.

“Sa anëtarë të komisionit duhet të jenë për një vlerësim të aktivitetit”, ishte pyetja e gjykatëses.

Siç tha dëshmitari, me sa ka dijeni ai duhet të jenë tre anëtarë.

“Dhe siç e thatë më lartë nëse njëri mungon nuk mund të bëhet vlerësimi”, pyeti gjykatësja por dëshmitari tha se nuk është kompetent për një konstatim të tillë pasi nuk e din saktësisht.

Gjykatësja ia tërhoqi vërejtjen dëshmitarit se është nën betim dhe se dëshminë duhet ta jap duke deklaruar të vërtetën.

“Edhe një herë po ju pyes, a keni marr vendim nga Kryetari i Komunës, tani i akuzuari Qemajl Mustafa”, pyeti gjykatësja, ndërsa dëshmitari u përgjigj, “Sigurisht, mundet me qenë”.

Gjykatësja tha se “sigurisht” dhe “mundet” me qenë dallojnë, andaj kërkoi nga dëshmitari të thotë të vërtetën.

Pas kësaj, dëshmitari tha se ka qenë anëtarë në aktivitete tjera por në aktivitetet që u pyet tha e nuk i kujtohet.

Gjykatësja e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohet në vendim, cilat kanë qenë detyrat e anëtarëve të komisionit, por dëshmitari tha se vendimet kanë qenë të shkurta e shpesh herë tha se as detyrat nuk kanë qenë të specifikuara.

“Ju si jurist kur merrni një detyrë a filloni të punoni pa e ditur mirë se cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë tuaja” ishte pyetja e gjykatëses në të cilën dëshmitari u përgjigj se jo nuk merr detyra të tilla.

Për shkak të tejkalimit të orarit të punës së gjykatës, seanca u ndërpre për të vazhduar të enjten nga ora 9:30.

Ky rast gjykohej nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Sylë Lokaj, mirëpo pas pensionimit të tij, gjykatëse e rastit është caktuar Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 27 zyrtarë tjerë komunal.

PSRK pretendon se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, dëmtim të buxhetit, përmes ekspertizës financiare, kanë konstatuar ekspertët e caktuar nga Gjykata e Themelore e Pejës, Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Gjithsej 18 tenderë janë përfshirë në ekspertizë financiare me urdhrin e gjykatës në fjalë, për të vlerësuar nëse dhënia e tyre ishte bërë në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe nëse ka pasur dëmtim të buxhetit të Komunës së Gjilanit.

Përkundër shumë kundërshtimeve nga prokurori special Agron Bajrami, që ekspertiza financiare të mos bëhet me arsyetimin se e njëjta nuk mund ta vlerësojë ligjshmërinë e aktivitetit të prokurimit në kurdisjen e tenderëve, kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj kishte aprovuar propozimin e mbrojtësit të pandehurit Mustafa, avokatit Ismet Shufta.

Kështu, gjykatësi Lokaj kishte vendosur që në këtë çështje penale të bëhet një ekspertizë financiare e dosjeve të tenderëve, për të vërtetuar nëse në aktivitetin e prokurimit ishin zbatuar dispozitat e Ligjit për Prokurimit Publik.

Pas tre muajsh ekspertim, ekspertët financiar kanë konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në vetëm 3 prej 18 tenderëve, ku shuma e dëmit si pasojë e shkeljeve të ligjit sipas ekspertëve ishte 6,248.88 euro.

Kurse 15 tenderët tjerë, sipas ekspertëve, ishin bërë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik.

Mirëpo në 12 aktivitete të prokurimit, ekspertët kanë konstatuar rritje të çmimit të kontratës për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, në shumën prej 67,257.43 euro, e cila shumë u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës

Sipas ekspertizës financiare të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në tenderin me numër GI-651-09-146-521, Komisioni Vlerësues në përbërje prej Drita Bajrami, Agim Hoxha dhe Ramush Musliu, kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, duke mos përfillur çmimin më të lirë të ofruar dhe kishte rekomanduar të lidhet kontrata me operatorin ekonomik “Bejta Commerce”, edhe pse ky operator kishte ofruar 537.30 euro më shumë se operatorët tjerë.

Tenderi i dytë me numër GI-651-09-059-521 që ishte përfshirë në shkelje të Ligjit, ishte kur anëtarët e Komisionit për Vlerësimin e Ofertave me përbërje prej Qefsere Sadriu, Llaz Rashiti dhe Musa Nasufi. e kishin zbatuar vendimin e ish-kryetarit Mustafa, i cili ka rekomanduar që kontrata t’i jepej operatorit ekonomik “Bass Com”, edhe pse kjo kompani sipas ekspertëve kishte ofruar çmimin më të lartë për 2,252.40 euro më shumë se operatorët tjerë ekonomik.

Sipas ekspertëve, ish-kryetari Qemajl Mustafa kishte bërë shkelje ligjore kur kishte nxjerrë vendimin që të mos përzgjidhet operatori ekonomik me çmim me të ulët.

Dhe tenderi i tretë, që sipas ekspertëve ishte dhënë në shkelje të Ligjit të Prokurimit ishte tenderi me numër GI-651-10-063-521 sipas të cilit, anëtarët e Komisionit Vlerësues, Drita Bajrami, Qefsere Sadriu dhe Vehbi Geci, nuk kishin aplikuar zbritjen e ofruar në ofertë të operatorit ekonomik prej 3,459,18 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në këtë shumë.

“Dëmi i shkaktuar i buxhetit Komunal në Gjilan, në këto tri raste kap shumën prej 6,248.88 euro”, thuhet në ekspertizën e bërë nga ekspertët Hysni Selmanaj dhe Ukë Sadikaj.

Në këtë ekspertizë është konstatuar edhe një dëmtim i buxhetit të Komunës së Gjilanit në shumën prej 67,257.43 euro në 12 aktivitet të prokurimit, për pagesën e Komisioneve për Mbikëqyrje dhe Pranim Teknik, e cila shumë sipas ekspertëve u ishte dhënë operatorëve ekonomik nga buxheti i Komunës.

Një mënyrë të tillë të pagesës së Komisionit përmes operatorëve ekonomik me buxhet të Komunës ekspertët financiar e kanë cilësuar kundërligjore, duke e bërë përgjegjës ish-kryetarin Mustafa dhe asamblistët të cilat kishin miratuar një vendim të tillë për bërjen e pagesave.

“Ne ekspertët mendojmë se me rritjen e shumës së Kontratës për pagesën e komisioneve me mjete të Buxhetit Komunal, Komuna ka pasur dëme në dy aspekte: për shumën e shtuar në kontratë, ku mjetet janë derdhë në llogari të operatorit ekonomik sipas kontratës dhe komisionet për mbikëqyrje të punëve dhe për pranim teknik me këtë metodologji ishin jo të pavarura por nën ndikim e Operatorëve Ekonomik të cilëve u ishin dhënë mjetet për pagesë të këtyre komisioneve dhe të njëjtit s’kishin pavarësi të plotë për një mbikëqyrje reale dhe pranim real të punëve të kryera nga Operatori Ekonomik”, thuhet në ekspertizën financiare.

Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.

Kështu, Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të 30 nëntorit 2018, në atë mënyrë që, kërkesat e mbrojtësve për hudhje të aktakuzës i ka refuzuar, ndërsa procedura tani në këtë çështje juridiko penale, sipas Apelit, duhet të vazhdohet sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Në këtë rast, PSRK ngarkon të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit konstaton se në bazë të shkresave të lëndës, në rastin konkret ka prova të mjaftueshme nga të cilat rezulton dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale në fjalë. Andaj gjykata e shkalles së parë obligohet të vazhdoj më tutje më procedim penal, të administroj provat, e pastaj ta marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhej në njoftimin për media të Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në nëntor të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë kishte theksuar se në rastin e Mustafës dhe të akuzuarve tjerë, s’ka elemente të veprës penale të krimit të organizuar.

Ndërsa, kishte pushuar procedurën penale ndaj të 10 të akuzuarve të cilët ngarkoheshin me veprën penale të keqpërdorimeve në ekonomi, dhe 19 të akuzuarve për keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje, për shkak të parashkrimit relativ të veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prej 29 të akuzuarave se si grup kriminal kishin kryer veprën penale të korrupsionit lidhur me dhënien e tenderëve në Komunën e Gjilanit, sipas vendimit të gjykatës, vetëm 12 të akuzuar, do të ballafaqohen me akuzat e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe atë me kualifikim të ri të veprës penale.

Kjo pasi, Gjykata Themelore në Pejë, kishte refuzuar vetëm kërkesat e të pandehurve, Qemail Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Ramush Musliu, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Naser Sylejmani dhe Nazim Jashari, e për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ne shkelje te nenit 422 par.l dhe 2 pika 2.1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Ndërsa, kishte pushuar procedurën penale për shkak të arritjes së parashkrimit relativ të ndjekjes penale ndaj te pandehurve: Drita Kajtazi-Bajrami, Agim Hoxha, Qefsere Sadriu, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Muhamet Kastrati, H.M dhe Fatmir Halili, lIaz Rashiti, Musa Nasufi, Ibrahim Foniqi, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Selvije Shefkiu- Mustafa, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi dhe per Merita Canaj-Shabani, që akuzohen për veprën penale keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar në shkelje të nenit 422 par.l dhe 2 pika 2..1 lidhur me nenin 31 te KPK-së .

Po ashtu, gjykata kishte bërë ndryshimin e kualifikimit juridik ndaj të akuzuarve, të cilit sipas këtij aktvendimi akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëveprim, e jo si grup i strukturuar kriminal, siç pretendon Prokuroria Speciale.

Sipas aktvendimit të gjykatësit Sylë Lokaj, të marr më 30 nëntor 2018, kualifikimi juridik i aktakuzës së Prokurorisë Speciale, se ish-kryetari i Gjilani, Qemajl Mustafa dhe të tjerët kishin kryer veprën penale si grup i strukturuar kriminal nuk qëndron, duke bërë ndryshimin e veprës penale prej krimit të organizuar në veprën penale të cilësuar si bashkëkryerje.

Sipas vlerësimit të kryetarit të trupit gjykues, Sylë Lokaj provat e paraqitura nga Prokuroria nuk e përmbushin kriterin minimal se ka ekzistuar grupi i strukturuar kriminal nga të pandehurit

“Gjykata vlerëson se aktakuza nuk përmban asnjë provë që do të mbështetej dyshimi i bazuar mirë se ka ekzistuar grupi i organizuar kriminal, asnjë provë që sugjeron se të pandehurit, kanë pas çfarëdo lloj të strukturës së formalizuar. Aktakuza si e tillë për krim të organizuar i mungon përshkrimi, ajo nuk ka dëshmi për të mbështetë dyshimin e bazuar se të paktën, njëri prej të pandehurve të ketë qenë pjesë e grupit kriminal të organizuar”, theksohej në vendim e gjykatësit Lokaj.

Prokuroria i akuzonte pronarët e bizneseve të cilët kishin aplikuar për tenderë të ndryshëm në Komunën e Gjilanit, se kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me ish-kryetarin e Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe Hatixhe Daku, se në procesin e fitimit të tenderëve dhe kishin pas kontakte me të akuzuarin Qemajl Mustafa dhe Hatixhe Dakun për të ndikuar në procedurat e prokurimit.

Mirëpo, sipas gjykatës së shkallës së parë, përshkrimi i gjendjes faktike nuk e arsyeton akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

“Gjykata vlerëson se aktakuza nuk përmban prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit në veprimet e tyre, t’i kenë tejkaluar kufinjtë e përcaktuar ose t’i kenë shkelur rëndë rregullat e aktivitetit të biznesit. Përderisa nuk ka prova që e vërtetojnë këto elemente të veprës penale, nuk mund të jetë bazë për një vepër penale të keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Për më tepër, sipas shkallës së parë, sjelljet e pronarëve të bizneseve kundër ish-kryetarit të Gjilanit, Mustafa, nuk mund të trajtohet si vepër penale, por si lobim dhe aktivitet i bizneseve për të bindur autoritetet t’i mbështetin ato për arritjen e epërsive, e në rastin konkret, për fitimin e një kontrate në procedurë publike të prokurimit.

“Ky aktivitet nuk tejkalon kufinjtë e përcaktuar me ligj ose rregullat e aktivitetit të biznesit, nuk mund të jetë bazë për një vepër penale të keqpërdorimit të autorizimit në ekonomi”, theksohej në vendim.

Ndërsa, kundërshtimet ndaj provave te paraqitura nga avokatet mbrojtës të të pandehurve, për secilin veç e veç, janë refuzuar si të pabazuara dhe do të administrohen në shqyrtim kryesor.

Ish-kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit e tjerë, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 21 nëntor 2017, janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale që i ngarkon kjo aktakuzë.

Ndryshe, më 2 gusht të vitit të kaluar, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për këtë rast.

Gjykatësi Lokaj, me aktvendim e kishte hudhur si pjesërisht të parregullt aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për sa i përket pikave . I, II, III, IV, V, VI, VII, VIU, X, XI, XII, XIV, XV, XVI, XVII, XVIII. Ndërkaq kishin mbetur në fuqi pikat IX dhe XIII të aktakuzës.

Më 22 shtator 2017, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sipas të cilit, Mustafa dhe të tjerët kthehen në bankën e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndërsa, më 18 prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë, me aktvendim, e ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me të cilën ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarit e tjerë po ngarkohen me veprat penale “krim i organizuar”, “shpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” si dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Kurse, më 14 shtator 2018 Apeli e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila në prill të këtij viti, e kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Qemajl Mustafës dhe të tjerëve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, H.M, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazmi Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.

Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Ndryshe, procedura ka pushuar për të akuzuarit H.M, pasi i njëjti ka ndërruar jetë. /BetimipërDrejtësi