FATOS RIZVANOLLIT I AKUZUAR PËR TERRORIZËM DEKLAROHET I PAFAJSHËM

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj-   Fatos Rizvanolli i akuzuar për veprën penale “rekrutim për terrorizëm” është deklaruar plotësisht i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Edhepse në këtë rast, është mbajtur njëherë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit Rizvanolli, Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi konstatoi se ky shqyrtim është shqyrtim fillestar pasiqë Prokurori Special Elez Blakaj, më 20 qershor 2016 i ka dorëzuar kësaj gjykate aktakuzën e ndryshuar me të cilën ngarkohet i pandehuri, ku ndryshimi konsiston në kualifikimin e veprës penale dhe atë nga vetëm “rekrutim për terrorizëm” tani i pandehuri akuzohet për veprën penale “rekrutim për terrorizëm në bashkëkryerje”.

Ndërkaq, pas këtij konstatimi mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha deklaroi se me rastin e ndryshimit të aktakuzës nga Prokuroria kanë pranuar një të tillë bashkëngjitur edhe me provat që gjenden në shkresat e lëndës. Megjithatë, avokati Berisha tha se u mungojnë provat në lidhje me ekzaminimet e kompjuterëve dhe librave që janë sekuestruar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe biznesin e tani të akuzuarit, të cilat prova, sipas Berishës, në këtë fazë janë të rëndësishme sepse në bazë të tyre do të paraqesin kundërshtimet lidhur me aktakuzën.

Tutje, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, lidhur me fajësinë i pandehuri Fatos Rizvanolli deklaroi se është plotësisht i pafajshëm dhe nuk e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet. Ndërsa, pasi që i pandehuri nuk e pranoi fajësinë kryetari i trupit gjykues urdhëroi palët që brenda afatit të paraparë me ligj në periudhën prej tridhjetë ditëve t’i paraqesin kundërshtimet dhe propozimet e tyre lidhur me këtë çështje.

Krejt në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Rizvanolli, avokati Besnik Berisha kërkoi nga gjykata që masa e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet dhe të zëvendësohet me një masë më të butë, gjegjësisht me masën e arrestit shtëpiak. Berisha tha se i akuzuari dhe familja e tij i premtojnë gjykatës që do t’i përgjigjen çfarëdo thirrjeje në çdo kohë  deri në përfundimin e çështjes dhe që nuk ekziston mundësia e ikjes nga vendi pasi që edhe pasaporta e tij tashmë gjendet në posedim të organeve të drejtësisë. Avokati gjithashtu deklaroi që nëse eventualisht gjykata vendos për zëvendësimin e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, ata nq diskrecion të gjykatës do të paraqesin edhe lartësinë e shumës në emër të dorëzanisë.

Propozimin e mbrojtjes, prokurori special Blakaj e ka kundështuar dhe ka kërkuar nga gjykata që masa e paraburgimit ndaj të pandehurit të vazhdoj, sepse ende ekzistojnë arsyet dhe rrethanat për mbajtjen e të pandehurit nën këtë masë, dhe që zëvendësimi i kësaj mase me ndonjë masë më të butë, sipas tij, do të paraqiste pengesë në procedurë për shkak edhe të vet karakteristikave dhe rrethanave personale të të pandehurit. Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues morri akvendim me të cilin u refuzua propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha për zëvendësimin e masës se paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.

Me këtë vendim edhe përfundoi shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Fatos Rizvanolli ndërkaq seanca e radhës nuk u caktua për ndonjë datë konkrete deri në pranimin e kundërshtimeve të palës lidhur me aktin akuzues.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 mars 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatos Rizvanollit , me të cilën akuzohet se ka kryer veprën penale “rekrutim për terrorizëm” nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosvës, sepse me dashje me të pandehurit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha etj, ka marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste dhe në aktivitetet e grupit terrorist që të sigurojë fonde dhe burime material në atë mënyrë që më 24 korrik 2012 me veturën e tij ka transportuar personin Sh.A deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë për në Siri për të luftuar, pastaj më 18 nëntor 2012 përmes Agjensionit Turistik “Pegasus” i pandehuri Fatos Rizvanolli ka paguar tri (3) bileta udhëtimi Prishtinë – Stamboll dhe Stamboll – Hatay, i cili qytet gjendet në kufi me Sirinë, dhe atë për B.K, A.d dhe B.D ku këta të fundit ende gjendet ende në luftë në Siri .

Ndërsa në muajin shtator 2013 sipas kërkesës së pandehurit Ilir Berisha (për të cilin zhvillohet procedurë penale bashkë me të akuzuarit e tjerë Zeqirja Qazimi etj.),  i pandehuri Fatos Rizvanolli ka mundësuar dërgimin e Pleurat Berisha (Ardian Nushi -i nejti ka përdorur dy identitete dhe që tani është vrarë në Siri) dhe Shkodran Krasniqit për të udhëtuar në Siri dhe për të luftuar në anën e organizatës terroriste të ISIS dhe Al-Nusra.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë