FATOS RIZVANOLLI I AKUZUAR PËR TERRORIZËM DEKLAROHET I PAFAJSHËM, MBROJTJA KËRKON NDËRPRERJEN E PARABURGIMIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Fatos Rizvanolli i akuzuar për veprën penale “rekrutim për terrorizëm”, të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i ngarkohet me akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 24 mars 2016. Në këtë shqyrtim gjyqësor i akuzuari Rizvanolli deklaroi se e revokon autorizimin për mbrojtësin e tij të mëparshëm , avokatin Ramiz Krasniqi, ndërsa në këtë fazë të procedurës ai kishte caktuar dy avokatët Besnik Berisha dhe Avni Ibrahimi.

Në këtë shqyrtim fillestar, pasi që i akuzuari Rizvanolli nuk e pranoi fajësinë, Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi udhëzoi palët që brenda afatit të paraparë ligjor t’i paraqesin kundërshtimet sa i përket akuzës dhe propozimet e tyre për prova në këtë çështje penale.

Pas këtij njoftimi, me lejen e kryetarit të trupit gjykues, mbrojtësi i të akuzuarit Fatos Rizvanolli, avokati Besnik Berisha deklaroi se gjykata duhet të trajtoj masën e sigurisë ndaj të pandehurit, konkretisht masën e paraburgimit, ku i pandehuri gjendet prej 17 marsit 2016, e cila do t’i skadoj më 15 prill 2016. Avokati Berisha deklaroi se pasi që Prokuroria kanë paraqitur propozimin e tyre që masa e paraburgimit ndaj Fatos Rizvanollit t’i vazhdohet me arsye se ekzistojnë rrethanat në kuptim të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, këtë propozim si mbrojtës e ka kundështuar. Berisha tha se masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës është në shkelje të parimit të proporcionalitetit dhe si e tillë ai kërkoi që të zëvendësohet me një masë më të butë. Avokati gjithashtu deklaroi që nëse eventualisht gjykata vendos për zëvendësimin e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, ata në diskrecion të gjykatës do të paraqësin edhe lartësinë e shumës në emër të dorëzanisë.

Lidhur me këtë Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi deklaroi se nisur nga fakti se sipas aktvendimit PPR.nr 31/16 të 17 marsit 2016 ndaj të akuzuarit Fatos Rizvanolli është caktuar paraburgimi deri më 15 prill 2016 dhe pasi që palët në procedurë kanë paraqitur propozimet e tyre përkitazi me këtë, ku prokurori special i çështje Elez Blakaj ka kërkuar zgjatjen e paraburgimit ndaj të akuzuarit, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, e kanë kundërshtuar propozimin e tillë, Kryetari Idrizi deklaroi se për këtë do të vendos më aktvendim të veçantë.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 24 mars 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Fatos Rizvanollit , me të cilën akuzohet se ka kryer veprën penale “rekrutim për terrorizëm” nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosvës, sepse me dashje me të pandehurit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha etj, ka marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste dhe në aktivitetet e grupit terrorist që të sigurojë fonde dhe burime material në atë mënyrë që më 24 korrik 2012 me veturën e tij ka transportuar personin Sh.A deri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë për në Siripër të luftuar, pastaj më 18 nëntor 2012 përmes Agjensionit Turistik “Pegasus” i pandehuri Fatos Rizvanolli ka paguar tri (3) bileta udhëtimi Prishtinë – Stamboll dhe Stamboll – Hatay, i cili qytet gjendet në kufi me Sirin, dhe atë për B.K, A.d dhe B.D ku këta të fundit ende gjendet ende në luftë në Siri .

Ndërsa në muajin shtator 2013 sipas kërkesës së pandehurit Ilir Berisha (për të cilin zhvillohet procedurë penale bashkë me të akuzuarit e tjerë Zeqirja Qazimi etj.),  i pandehuri Fatos Rizvanolli ka mundësuar dërgimin e Pleurat Berisha (Ardian Nushi -i nejti ka përdorur dy identitete dhe që tani është vrarë në Siri) dhe Shkodran Krasniqit për të udhëtuar në Siri dhe për të luftuar në anën e organizatës terroriste të ISIS dhe Al-Nusra.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë