FADIL SHISHANI DËSHMON NË GJYKIMIN KUNDËR KRYETARIT TË KOMUNËS SË DRENASIT

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, në bankën e të akuzuarve u rreshtuan Kryetari i Komunës së Drenasit- Nexhat Demaku i cili së bashku me Ajet Demirin dhe Gani Halilajn akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare. Përgjatë kësaj seance të shqyrtimit gjyqësor dëshmoi Fadil Shishani i cili u sollë enkas nga qendra e paraburgimit për të dëshmuar.

Ky proces ka filluar me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur në qershor 2016 sipas së cilës Nexhat Demaku akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Drenasit ka tejkaluar kompetencat e tij, meqë si qiradhënës më 2009 ka lidhur qira me Fadil Shishanin, me qëllim që ky të përfitojë të drejtën e shfrytëzimit të banesës së Zejnepe Buzhalës e në këtë mënyrë Demaku ka ushtruar përgjegjësi përtej Ligjit për Qeverisje Lokale duke penguar të dëmtuarën Buzhala në gëzimin e të drejtës së saj banesore për shfrytëzim të përkohshëm të banesës të dhënë me një vendim të mëparshëm nga Qendra për edukim dhe arsim parashkollor “Ardhmëria”.

Nga ana tjetër, Ajet Demiri në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Gani Halilaj si zyrtar për çështje banesore në Komunën e Drenasit, pretendohet të kenë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe tejkaluar kompetencat kur kishin nxjerrë vendim me të cilën e dëmtuara Zejnepe Buzhala detyrohej që ta lironte banesën që e njëjta t’i mundësohej Fadil Shishanit.

Në seancën e kaluar dëshmoi Zejnepe Buzhala që figuron si palë e dëmtuar në këtë rast dhe ajo shpjegoi se banesa, lidhur me të cilën dyshohet të jenë ndërmarrë veprime që kanë rezultuar në keqpërdorim të pozitës zyrtare, i ishte dhënë fillimisht përkohësisht në 1994 nga Qendra për edukim dhe arsim parashkollor “Ardhmëria” ku dhe e njëjta kishte punuar. Më vonë e dëmtuara kishte kërkuar konvokimin e mbledhjes së Këshillit të Punëtorëve që banesa t’i jepej në mënyrë të përhershme dhe një gjë e tillë ishte aprovuar nga vetë Këshilli.

Megjithatë, sipas saj problemi kishte filluar në periudhën e pasluftës , pasi familja e saj ishte detyruar që ta braktisë banesën si dhe vendin për të kërkuar strehim në Angli, ndërsa në banesë ishte vendosur një person tjetër me emrin Fadil Shishani. Me këtë person familja Buzhala kishin rënë dakord se i njëjti mund ta përdorë banesën pa pagesë derisa familja Buzhala të vendoste ndryshe. Lidhur me këtë kishin përpiluar edhe një kontratë. Situata kishte eskaluar kur familja Buzhala kishte dashur të rivendoset në këtë banesë, kurse sipas të dëmtuarës, Fadil Shishani kishte filluar t’u kërcënohet me insistimin se nuk do e lëshojë banesën.

Fadil Shishani nga ana tjetër mohoi ta kishte njohur më parë familjen Buzhala dhe se Zejnepe Buzhalën e kishte njoftuar për herë të parë në vitin 2004 kur ajo kishte ardhur në banesë dhe kishte proklamuar se banesa është e saja në bazë të një kontrate të lidhur me çerdhen “Ardhmëria”.  Ai deklaroi se ai së bashku me familjen ishin instaluar në banesën kontestuese në qershor të vitit 1999 pa e ditur se e kujt është ajo meqë nuk ka pasur se ku të strehohej me familjen. Në vitin 2009 Shishani kishte lidhur kontratë më Komunën e Drenasit për shfrytëzim 10 vjeçar të po të njëjtës banesë ku dhe vazhdojnë të jetojnë bashkëshortja e tij me fëmijët.

“Zejnepe Buzhala kishte dy fotokopje të kontratave dhe jo origjinalin e tyre dhe në njërën prej tyre thuhej se banesa jepet me shfrytëzim të përkohshëm kurse në tjetrën fjala e përkohshme nuk ekzistonte.”- deklaroi dëshmitari.

Lidhur me këtë, përfaqësuesi i Komunës së  Drenasit tha se në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është i hapur rasti kundër Buzhalës për falsifikim të kontratës.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua më 23 maj ku pritet të dëshmojnë Haradin Bella në cilësi të sekretarit të çerdhes “Ardhmëria” si dhe edukatorja Sofie Imeri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë