ENVER HASANI NUK DEKLAROHET RRETH FAJËSISË NË SHQYRTIM FILLESTAR

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vendosur që tani për tani të mos deklarohet rreth fajësisë për dy vepra të korrupsionit që i ngarkohen. Ky veprim ka ardhë si pasojë e sygjerimit nga ana e mbrojtësit të tij, avokatit Bajram Tmava.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit, Abdurrahim Islami, avokati Tmava ka paraqitur para gjyqtarit të çështjes, Shashivar Hoti, një opinion në formë të shkruar. Në atë opinion, sipas avokatit Tmava, thuhet se aktakuza nuk është përpiluar konfrom nenit 241 të Kodit të Procedurës Penale (KPP). Më saktësisht, i njëjti ka folur për paragrafin 1, pika 1.4, ku thuhet se “aktakuza përmban kohën dhe vendin e kryerjes së veprës penale, objektin në të cilin është kryer dhe mjetin me të cilin është kryer vepra penale, si dhe rrethanat tjera të nevojshme për të përcaktuar me saktësi veprën penale”.

Me këtë rast, avokati Bajram Tmava i propozon gjykatës që të zbatohet dispozita sipas nenit 242, paragrafi 3, dhe të vendoset se a i përmban aktakuza elementet e përshkruara në dispozitiv.

Sipas prokurorit Islami, ky opinion nuk qëndron, dhe se kjo nuk është një çështje për të cilën duhet vendosur. Mirëpo, gjykata konstaton se ky opinion duhet shyrtuar, me ç’rast edhe ndërprehet seanca. Lidhur me këtë, palët do të njoftohen me një vendim të veçantë

Megjithatë, neni 246 i KPP-së përcakton se “Nëse i pandehuri nuk dëshiron të bëjë ndonjë deklarim lidhur me fajësinë e tij, konsiderohet se ai nuk e pranon fajësinë”.

Në këtë proces gjyqësor, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngarkon Enver Hasanin me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Më saktësisht, Hasani akuzohet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Dekretin e Presidentes rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë. Sipas kësaj aktakuze, në kohën kur ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Hasani kishte shënuar emrin e gjyqtarit Robert Carolan edhe pse ky i fundit nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ngase bëhej fjalë edhe për vazhdimin e mandatit të tij.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë