Enver Hasani ngritë kallëzim penal ndaj Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, prokurorit Kujtim Munishi dhe zyrtarit policor Avni Namani

Aleksander-Lumezi-620x275
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 13, 2019

Prishtinë – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, nuk ka hequr dorë nga pretendimet e tij se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës.

Për këto dyshime, ndryshe nga deklaratat e mëparshme të tij, ai i është drejtuar zyrtarisht edhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Ai ka ngritur kallëzim penal ndaj Kryeprokurorit Lumezi, ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi si dhe ndaj zyrtarit policor Avni Namani.

“Për shkak se Aleksandër Lumezi që nga viti 2000 e deri më tani ka përdorur dokumentin e falsifikuar, përkatësisht certifikatën për dhënie të provimit të jurisprudencës, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se provimin e jurisprudencës nuk e ka të kryer dhe me këtë certifikatë është kyçur në sistemin prokurorial, duke kaluar në të gjitha nivelet e sistemit prokurorial, deri në krye të Prokurorisë së Shtetit të Kosovës”, thuhet në kallëzimin penal, sipas të cilit dyshohet se Aleksandër Lumezi ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, të parashikuar nga neni 398, paragrafi 2 të KPK-së.

Kurse, në kallëzimin penal, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, e ka përfshirë edhe prokurorin Kujtim Munishi, i cili e kishte mbyllur rastin sa i përket dyshimeve për falsifikim të provimit të jurisprudencës nga Kryeprokurori Lumezi.

“Në cilësinë e personit të autorizuar, si prokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, me qëllim që të sjell favore shefit të tij, të dyshuarit të parë Alekasandër Lumezi, ka shpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që pas daljes së raportit publik, lidhur me manipulimin me dosjen Lumezi, ka ndërmarr “veprime parapenale”, dhe e ka mbyllur çështjen pa i hapur fare hetimet, edhe pse në rastin konkret ishin plotësuar të gjitha predispozitat ligjore për hapjen e hetimit në këtë çështje penalo-juridike”, thuhet në kallëzimin penal, sipas të cilit dyshohet se prokurori Munishi ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu, pjesë e grupit që kishte hetuar dhe mbyllur rastin e dosjes Lumezi, kishte qenë edhe zyrtari policor, Avni Namani, e i cili është përfshirë në kallëzimin penal të Enver Hasanit.

“Për shkak se si person i autorizuar në Policinë e Kosovës, përgjegjës në departamentin policor për hetimin e veprave penale të korrupsionit zyrtar, ka shpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që tjetrit përkatësisht parashtruesit të këtij kallëzimi penal, ti shkaktojë dëm, ashtu që ndaj meje ka paraqitur kallëzim penal, kinse për paraqitjen e rreme të veprës penale dhe kryesit, edhe pse ai ishte i vetëdijshëm se një kallëzim i tillë nuk ishte paraqitur nga ana ime”, thuhet në kallëzimin penal, sipas të cilit, dyshohet se zyrtari policor, Avni Namani ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të parashikuar sipas nenit 422, paragrafi 1 i KPK-së.

Në kallëzim penal ai ka përmendur disa arsye pse sipas tij, ekziston dyshimi i bazuar që Lumezi, Munishi dhe Namani kanë kryer këto vepra penale.

Ndaj Lumezit, thuhet se ka fakte të pa kontestueshme dhe të pamohueshme se ai e ka falsifikuar provimin e judikaturës, për të cilat ai në kallëzimin penal ka përmendur disa sosh.

“Dosja e manipuluar e cila ndodhet në Arkivin e Kosovës dhe i cili manipulim është bërë transparent për publikun nga programi televiziv hulumtues “Betimi për Drejtësi” i emituar në RTK), gazeta e përditshme “Koha Ditore” dhe nga KTV”, thuhet në pikën 1 të këtij kallëzimi penal.

Në pikat tjera thuhet se prej kur se është organizuar provimi i jurisprudencës në Kosovë në kohën e ish – Jugosllavisë, asnjëherë nuk janë lëshuar certifikata në dy gjuhë, por vetëm në një gjuhë. “Për shqiptar vetëm shqip, për të tjerë ekskluzivisht në ish – gjuhën serbo – kroate, si gjuhë zyrtare e kohës deri në shpërbërjes e ish – Jugosllavisë në pranverë të vitit 1992”, thuhet në kallëzimin penal.

“I dyshuari kinse provimin e paska kryer në vitin 1992 kur me ligj në aplikim ka qenë gjuha dhe alfabet cirilik në tërë territorin e Serbisë, ndërsa vetëm këtij ju paska lëshuar në dy gjuhë, përkatësisht në gjuhën serbe me alfabet latin dhe në gjuhën shqipe; Në certifikatën të cilën vet i dyshuari e ka publikuar në portalet e ndryshme në mesin e tjerave shënohet: “në Prishtinë” d.m.th. me germën “sh” të shkruar në tekstin serb, ndërsa “e”-ja pa zë në gjuhën shqipe; Kandidatët e pakët shqiptar (2-3) që e kanë dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 1992 te organet e dhunshme të Serbisë, kur kinse e paska dhënë edhe i dyshuari, i kanë certifikuar për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe atë vetëm në gjuhën serbe, me shkrimin cirilik. Si qenka e mundur që vetëm ky i dyshuar ta ketë këtë dokument në dy gjuhë dhe atë në gjuhën serbe e shkrimin në latinicë?!”, thuhet tutje në kallëzimin penal.

Sipas kallëzimit penal, Lumezi kishte konkurruar tek organet e UNMIK – ut për tu bërë pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në vitin 1999 dhe në vitin 2000 dhe në të dy rastet në aplikacion, siç thuhet në kallëzimin penal, kishte shënuar se nuk e ka të kryer provimin e jurisprudencës.

“Meqenëse në atë periudhë (të funksionalizimit të sistemit prokurorial dhe gjyqësor) kishte mungesë të kandidatëve me provim të jurisprudencës, çdo kush që e kishte këtë provim, e kishin zgjedhur gjyqtar – prokuror (varësisht ku kishte aplikuar), pse mos ta zgjidhnin të dyshuarin, gjithnjë me supozimin se i njëjti do ta kishte prezantuar certifikatën për dhënien e provimit të jurisprudencës”, thuhet ndër të tjerash në kallëzimin penal.

Ndaj Munishit, thuhet se prokurori ligjërisht ka qenë i detyruar që t’i hap hetimet, për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e manipulimit të dosjes. “Në rrethana kur bëhet fjalë për dyshim të falsifikimit të çfarëdo dokumenti, nuk mund që çështja e falsifikimit të sqarohet me dëshmitar, siç ka vepruar ky prokuror, por domosdo dhe detyrimisht duhet urdhëruar ekspertizë forenzike-grafologjike. Nuk mund të sqarohet e aq më pak të dëshmohet falsifikimi i dokumentit përmes dëshmitarëve fiktivë të cilët paskan pas ngrënë për herë të parë qofte me djathë kur Aleksandër Lumezi gjoja e paska pas dhënë provimin e jurisprudencës! Duhet ekspertizë forenziko– grafologjike për t’u sqaruar rrethana e falsifikimit të një dokumenti që dyshohet se është i tillë. Ky i dyshuar jo vetëm që nuk i hapi hetimet dhe nuk urdhëroi eksperizë profesionale forenzike – grafologjike, por as që e mori mundin të siguroj dosjen e konkurrimit e të dyshuarit Aleksandër Lumezi tek organet e UNMIK – ut, në dy raste, në vitin 1999 dhe në fillim të vitit 2000”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal.

Ndaj zyrtarit policor Namani, thuhet se ka abuzuar me pozitën e tij, për t’i shkaktuar dëm, tani ushtruesit të kallëzimit penal, Enver Hasani.

Sipas tij, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. “Rezulton nga fakti se ka paraqitur kallëzim penal ndaj meje, kinse për paraqitjen e veprës penale dhe kryesit (kinse ndaj Aleksandër Lumezit), vetëm me qëllim që të më shkaktoj mua dëm (e që akoma po i barti pasojat e këtij kallëzim fiktiv penal), ngase unë asnjëherë deri me këtë rast nuk kam paraqitur kallëzim penal, por vetëm e kam shfaq në opinion një gjetje, që e kam hasur si qytetar i Republikës së Kosovës gjatë qasjes së dokumentet publike, e që ligji këtë të drejtë ia njeh çdo personi të interesuar”, thuhet në kallëzimin penal.

Pas publikimit të pretendimeve nga Enver Hasani, në tetor të vitit 2017, “Betimi për Drejtësi” së bashku me Kohavisionin (KTV), kanë zhvilluar një hulumtim të thellë për dosjen e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, e cila ka rezultuar si dosje e manipuluar. Gjatë kësaj kohe, ishte zhvilluar një hetim preliminar për këtë rast në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori Kujtim Munishi së bashku me policët Avni Namani dhe Jeton Menxhiqi. Për 21 ditë, prokurori Munishi, kishte mbyllur rastin, duke hedhur poshtë pretendimet e Hasanit për falsifikim të provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Pas mbylljes së rastit, ata kanë ngritur një kallëzim penal për deklarim të rremë ndaj Enver Hasanit, rast i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.