Enver Hasani: Kjo aktakuzë është hakmarrje e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi
Raporton : Adem KRASNIQI
Prishtinë – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, i cili po akuzohet për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumentit”, u deklarua i pafajshëm, duke thënë se kjo aktakuzë është hakmarrje ndaj tij.
“Kjo është hakmarrje ordinere e Kryeprokurorit të Shtetit dhe shefave të tij. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, tha Hasani.
Kujtojmë se në seancën e kaluar të mbajtur me 15 korrik, në konsultim me avokatin Bajram Tmava, Hasani nuk ishte deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij.
Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet më 11 tetor, në ora 09:30.
Sipas aktakuzës, më 13 nëntor 2014, Enver Hasani si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtar, kishte nxjerrë një aktvendim nga i cili kishin përfituar mandate shtesë të kundërligjshme si gjyqtar ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës gjyqtarët Robert Carolan, Almiro Rodriguez dhe Snezhana Botusharova.