ENGUN BEYOGLU DËNOHET TRE MUAJ BURG ME KUSHT PËR MOSRAPORTIM TË PASURISË

Raporton: Gëzim HASANI

Prishtinë – Engun Beyoglu i akuzuar për veprën penale “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë” është dënuar të enjtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë me burgim me kusht prej 3 muajsh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale dhe me dënim plotësues – dënim me gjobë prej 300 euro, i cili duhet të paguhet në periudhë 15 ditëshe prej ditës kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Para shpalljes së aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi, palët kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Në fjalën përfundimtar prokurori i rastit, Armend Hamiti, tha se bazuar në shqyrtimin gjyqësor dhe seancat e zhvilluara, Prokuroria e konsideron fajtor të akuzuarin në fjalë. “Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, me rastin e procedimit të provave të paraqitura në këtë aktakuzë, kërkesa nga ana e Agjencionit Kundër Korrupsionit (AKK) drejtuar të akuzuarit, përgjegja e Komunës së Prishtinës, dëshmia e Teuta Rugovës, dëshmia e përfaqësuesit të AKK-së, Gani Nikqit, deklarata e vetë të pandehurit Engun Beyoglu e vërteton dyshimin mirë të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale që akuzohet në këtë çështje penale andaj”, tha prokurori Armend Hamiti.

Engun Beyoglu që në këtë shqyrtim gjyqësor nuk kishte mbrojtës, u deklarua mbetet pas deklaratës së dhënë më herët.Në deklaratën e dhënë i akuzuari kishte thënë që nuk ishte i sigurt nëse zyrtarja Teuta Rugova e kishte thirrur apo jo në telefon për t’ia dhënë ftesën për deklarim të pasurisë pas përfundimit të mandatit të tij. ”Kërkoj nga gjykata ta zbatoj ligjin”, tha i akuzuari  Beyoglu.

Për të akuzuarin në fjalë, gjykata shpalli aktgjykim dënues duke dënuar me burgim me kusht prej 3 muajsh, i  cili nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale dhe me dënim plotësues – dënim me gjobë prej 300 euro, i cili duhet të paguhet në periudhë 15 ditëshe prej ditës kur aktgjykimi merr formën e prerë.

Engun Beyoglu akuzohet se në periudhën kohore prej 24 dhjetorit 2013 deri më 24 janar 2014 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, pas përfundimit të mandatit si Këshilltar i Asamblesë Komunale në Prishtinë me datë 24 dhjetor 2013, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, nuk ka deklaruar pasurinë e tij edhe pse përkundër faktit se është njoftuar nga organet kompetente me kohë dhe sipas ligjit ka qenë i obliguar që një gjë të tillë ta bëjë brenda 30 ditësh pas pushimit të mandatit duke kryer kështu veprën penale mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë