Ende nuk dihet se kur do fillojë rigjykimi ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi

Agim-Ademi-e1591177683362-620x275
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Kur janë bërë afër dy muaj që kur Gjykata Supreme njoftoi se e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë, lëndën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nuk ka ende një datë se kur do fillojë rigjykimi në këtë rast.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore, Mirlinda Gashi.

Po ashtu, Gashi ka njoftuar se tashmë në rigjykim, gjykimin në këtë rast do ta udhëheq, gjyqtari Kujtim Krasniqi.

Kjo pasi që, gjyqtarja që kishte udhëhequr trupin gjykues gjatë gjykimit të parë, Valbona Musliu-Selimaj, ka kaluar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Gjykata Supreme, më 15 gusht 2020, kishte njoftuar se e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë, lëndën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama.

Kësisoj, Supremja i kishte anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, me të cilat, Ademi ishte shpallur fajtor për veprën penale, detyrim në tentativë dhe ishte dënuar me nëntë muaj burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, për të njëjtën vepër penale me një vit burgim ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër, Muharrem Rama.

Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar më kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

E duke vendosur lidhur me këtë kërkesa, Supremja kishte vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale, detyrim në tentativë. Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”. /BetimipërDrejtësi