ZVARRITJA E PROCESEVE GJYQËSORE

Author

“Betimi për Drejtësi”

Tetor 26, 2016

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për zvarritjet në zgjidhjen e lëndëve. Palët në procedurë kërkojnë të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë, ligje, praktika dhe standarde ndërkombëtare për të pasur gjykime në kohë të arsyeshme, të paanshme, të pavarura dhe profesionale. Kjo gjë po i mungon qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura në sistemin gjyqësor. Një prej fenomeneve që hulumtuesit e ekipit “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar janë rastet që kthehen disa herë në rigjykim. Të akuzuarit mbahen në paraburgim për vite të tëra dhe ndaj tyre nuk arrihet të përfundohet procedura gjyqësore. Në këtë emision, do të trajtojmë një prej shumë rasteve, kur një i akuzuar qëndron në paraburgim për 6 vite, ndërsa lënda ndaj tij kthehet dy herë në rigjykim dhe ende nuk ka përfudim të procesit gjyqësor. Maratona e këtij procesi gjyqësor është vetëm një ndër shumë proceset e ngjashme. Në storien e përgatitur nga koleget Besa Maliqi dhe Bukurezë Surdulli, do të ndiqni rastin e Shefki Zogianit, i cili mbrohet në liri, por që rasti ndaj tij po zvarritet me vite të tëra. Për çfarë akuzohet Zogiani dhe cilat janë arsye e këtij procesi maratonik, i cili nuk po përfundon, do të ndiqni në vazhdim të emisionit storien e përgatitur. Ndërkaq për të diskutuar për fenomenin e zvarritjes së lëndëve dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në këto raste, kolegia Bukurezë Surdulli, ka intervistuar Avokatin e Popullit, Hilmi Jasharin.

Para se t’i ndiqni këto materiale, do të shfaqet rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit të përgatitur nga kolegia Hyrije Mehmeti.