Pasojat e vjetërsimit të lëndës në Prokurori

Author

“Betimi për Drejtësi”

Mars 14, 2020

Prishtinë – Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, për pasojat e vjetërsimit të një lënde në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Rasti ka të bëjë me një çift në Prishtinë, foshnja e të cilëve në vitin 2012 kishte lindur me probleme shëndetësore, përkatësisht kishte lindur pa duar. Për këtë arsye, ata akuzojnë mjekun se nuk i ka njoftuar për këtë problem gjatë procesit të shtatzënisë, ndonëse kontrollat ishin bërë me aplikimin e pajisjeve të avancuara teknologjike. Për këtë rast, të njëjtin kishin paraqitur rastin e tyre në organet e drejtësisë, por se për këtë nuk kishin marrë informata derisa foshnja kishte mbushur moshën tetë vjeçare. Njoftimi i marrë në vitin 2020 është një shënim zyrtar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përkatësisht prokurores Fikrije Sylejmani, që thotë se në këtë rast janë konsumuar elementet e veprës penale, por se ndjekja penale nuk mund të bëhet, pasi në këtë rast, ka arritur afati i parashkrimit. Madje, për këtë rast nuk ka qenë i njoftuar asnjëherë as i dyshuari, i cili konstatimin e prokurorisë se janë konsumuar elementet e veprës penale, e cilëson si të pabazë dhe njollosje.

Si ka ndodhur ky rast? Cilat janë pretendimet dhe arsyetimet e palëve? Çfarë thonë dokumentet relevante të këtij rasti? Si ka mundësi që Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se ky rast është duke u trajtuar, derisa për tetë vite, nuk kishte pasur fare fillim të hetimeve? Të gjitha këto do t’i mësoni përmes stories së përgatitur nga kolegu hulumtues, Gzim Shala.

Gjatë emisionit si zakonisht do të ndiqni edhe rubrikën e monitorimit të rasteve të korrupsionit në të gjitha Gjykatat e Republikës së Kosovës.