Monopoli në furnizimin e Aeroportit me kerozinë

Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Mars 20, 2021

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” ku është trajtuar tema “Monopoli në furnizimin e Aeroportit me kerozinë”.

Çmimi i biletave për udhëtarët që fluturojnë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari”, krahasuar me aeroportet në rajon është shumë më i lartë. Për këtë arsye, jo në pak raste qytetarët vendosin që të udhëtojnë nga aeroportet e rajonit, e jo nga ai i Prishtinës.

Përballë konkurrencës së lirë në çmime, në këto çmime të larta në Aeroportin e Prishtinës, sipas Autoritetit të Aviacionit  Civil, ndikon edhe monopoli i krijuar brenda këtij aeroporti. Po thuajse kosto kryesore e një fluturimi për kompanitë e fluturimeve është furnizimi me derivate, përktatësisht me kerozinë.

Që nga dhënia me koncencion e Aeroportit të Prishtinës në vitin 2011, të drejtën për furnizim me kerozinë për kompanitë e fluturimeve e ka vetëm kompania e derivateve “Ex-Fis”. Në këtë mënyrë, për furnizim me kerozinë të këtyre kompanive, në Kosovë nuk mund të aplikohen çmimet konkurruese nga kompanitë të tjera. Për më tepër, në kundërshtim me Marrëveshjen e Partneritetit Publiko Privat në mes të Qeverisë së Kosovës dhe LIMAK, kjo e fundit aplikon tarifë ndaj Kompanisë “Ex-Fiss” për 600% më të lartë se ajo e përcaktuar me këtë marrëveshje, çfarë ndikon në rritjen e kostos së fluturimeve për kompanitë e fluturimeve, e cila kosto në fund, paguhet nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në vitin 2011 Aeroporti i Prishtinës i ishte dhënë me koncension Limak Kosovo International Airport JSC. Në annexin B të kësaj marrëveshje, ishin përcaktuar edhe tarifat që LIMAK mund të aplikonte në fusha të caktuara gjatë operimit. Lidhur me furnizimin me derivate, kjo pjesë i kishte dhënë të drejtë LIMAK-ut që ndaj furnitorëve, të aplikonte tafirë prej 2 cent në litër për kerozinë.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar një pjesë të marrëveshjes së lidhur në mes të LIMAK dhe kompanisë Exfiss, ku në kundërshtim me Marrëveshjen e Limak me Qeverinë e Kosovës, është aplikuar tarifë prej 12 centësh në litër. Pra, 600% më e lartë se ajo që përcaktohet në këtë marrëveshje.

Për të gjitha këto dhe më tepër ndihemi emisionin e plotë. /BetimipërDrejtësi