Ligjshmëria e përfitimeve të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial

Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 10, 2021

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” ku është trajtuar tema “Ligjshmëria e përfitimeve të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial”.

Ligje të mira në letër, e zbatim i dobët ose mos zbatim fare i tyre në praktikë, është një histori që e ka përcjellë shtetin e Kosovës tash e sa kohë.

Një ndër ligjet më të avancuara që është miratuar në Kosovë, është Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Ky ligj, i cili ishte miratuar në vitin 2018, ka për qëllim forcimin e integritetit në sektorin publik si dhe garantimin që zyrtarë të lartë publik i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente në shërbim të interesit të të gjithë qytetarëve.

Për të arritur tek këto objektiva, ky ligj kishte përcaktuar ndalesa të qarta për zyrtarët e lartë publik, në mbajtjen e më shumë se sa një pozite apo pranimin e shpërblimeve me pagesë për ushtrimin e detyrave nga zyrtarët në pozitat tjera, krahas pozitave të tyre bazë.

Por, ndonëse janë bërë gati tre vite që nga miratimi i këtij ligji, zbatimi i tij në praktikë mbetet i mangët. Madje, ndër shkelësit kryesor të tij po del të jenë pikërisht ata që paguhen për të qenë kampionë të zbatimit të ligjit – prokurorët dhe gjyqtarët. Situatë e ngjashme sikurse në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Gjykatën Supreme, sa i përket përfitimeve të kundërligjshme, del që është edhe në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Se si i kanë përfituar këto shtesa dhe sa është shuma e tyre, ndiqni emisionin e plotë. /BetimipërDrejtësi