LIBERALIZIMI I VIZAVE

Author

“Betimi për Drejtësi”

Shtator 30, 2014

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë lirshëm pa viza në Zonën Shengen. Kosova ndodhet në një situatë të ngërçit politik, ku nuk po mund të krijohen institucionet e vendit dhe kjo mund të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave. Për shkak të mos krijimit të institucioneve, të cilat i ka kapur ngërçi për shkak të situatës politike, “Betimi për Drejtësi” ka ftuar për të debatuar me panelistët që nuk janë politikanë, por janë niveli teknik i përfshirë në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave. Ku gjendet Kosova në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës që të përmbushin këto kritere për të na mundësuar udhëtimin lirshëm pa viza për në Evropë? Çfarë është bërë për ripranimin, riintegrimin e personave të riatdhësuar, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijëve, menaxhimin e emigrimit, azilantëve? Çfarë është bërë për pavarësinë e gjyqësorit? Si do të sigurohet kjo pavarësi? Si do të mbahen llogaridhënës gjykatësit dhe prokurorët? Si do të zgjidhen lëndët e praprambetura? Çka është bërë në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit? Si do të luftohen këto krime?

Për të diskutuar për këtë temë mysafirë të Betim Musliut janë:

z. Ehat Miftaraj, Këshilli Prokurorial i Kosovës

z. Albert Avdiu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës

z. Fisnik Rexhepi, Ministria e Punëve të Brendshme

z. Besnik Vasolli, Ministria e Integrimit dhe

z. Fisnik Korenica, Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Gjatë emisionit si zakonisht do të ndiqni rubrikën e rregullt të emisionit “Betimi për Drejtësi”, rubrikën “Në Kërkim”, ku do të shfaqen tre prej personave më të kërkuar nga organet policore.