Krimi, korrupsioni dhe kontrabanda në burgje

Author

“Betimi për Drejtësi”

Dhjetor 9, 2014

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për krimet, dhunimet, korrupsionin dhe kontrabandën në burgje. Në këtë emision do të ndiqni një rast skandaloz të një viktime, i cili është dhunuar nga të burgosurit, për shkak të kategorizimit të tij në mënyrë të kundërligjshme. Do të ndiqni rrëfimin ekskluziv, tejet rrënqethës, të këtij të riu të dhunuar nga të burgosurit në Burgun e Dubravës. Ky djalosh, viktimë e këtij akti kriminal të dhunimit, ka qenë i dënuar me 400 euro… Në pamundësi për t’i paguar këto 400 euro, ka vendosur që dënimin ta paguajë me burg, që t’i vuajë 22 ditë në burg. Dhe cka ndodh?!… Ky djalosh, dërgohet që ta vuajë dënimin në Burgun e Dubravës në një dhomë me katër të burgosur tjerë të dënuar me shumë vite burgim.
Këta të burgosur, sipas viktimës, në mënyrë çnjerëzore e dhunojnë atë. Ky akt kriminal ka ndodhur para dy muajsh, ndërsa ky djalosh viktimë, i papërkrahur totalisht nga shteti, vazhdon të vuajë nga pasojat e shkaktuara të dhunimit.
Përveç këtij rasti, në emision do të debatohet për gjendjen në burgje, sigurinë, shkeljen e të drejtave të të burgosurve,  krimet tjera që ndodhin, si vetëvrasjet, kontrabandimi me mallra, me narkotikë dhe me armë të zjarrit.

Gjatë emisionit, do të shfaqen rezultatet e impaktit të emisionit “Betimi për Drejtësi” të transmetuar më datën 12 nëntor për Burgun e Dubravës, ku janë shfaqur dëshmi për korrupsionin që zhvillohet brenda Burgut të Dubravës, dhe hetimet që kanë filluar si rezultat i emisionit.

Poashtu, si zakonisht gjatë emisionit, do të shfaqet rubrika “Në Kërkim”, ku do të paraqiten tre prej personave më të kërkuar nga organet policore.

Për të diskutuar për të gjitha këto tema, mysafirë të Betim Musliut janë:

Shemsi Hajrizi, Shërbimi Korrektues i Kosovës
Sahide Gashi, Prokuroria Themelore në Pejë
Alban Muriqi, QKRMT