KONFISKIMI I PASURISË SË PALIGJSHME

Author

“Betimi për Drejtësi”

Prill 30, 2014

Në emisionin “Betimi për Drejtësi” ndiqeni debatin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme në Kosovë.
Çfarë po ndodh me pasuritë e paligjshme në Kosovë? A po mbesin ato të paprekshme dhe deri kur do të jetë kështu?
Pse prokurorët dhe gjykatësit nuk po konfiskojnë pasuri të paligjshme? Çfarë presionesh po bëhen mbi prokurorët dhe gjykatësit që mos të konfiskohet pasuria e paligjshme? Kush po i kërcënon ata? Sa janë llogaridhënës prokurorët dhe gjykatësit që nuk kanë asnjë rezultat sa i përket konfiskimit të pasurive të paligjshme? Si duhet të matet performanca e tyre? A ka faj korniza ligjore për mungesën e rezultateve për konfiskim të pasurive të paligjshme apo ka mungesë të vullnetit dhe profesionalizmit të prokurorëve dhe gjykatësve? Si duhet rregulluar më mirë çështja e konfiskimit të pasurive të paligjshme?

Për të diskutuar për këto tema mysafirë të Betim Musliut janë:
Z. Sali MEKAJ, Kryetar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë dhe
Z. Shqipdon Fazliu, Koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike

Gjatë emisionit do të transmetohen rubrikat e rregullta të emisionit “Betimi për Drejtësi”.
1. Në rubrikën “Në kërkim” do të ndiqeni se kush janë tre prej personave më të kërkuar nga Policia e Kosovës.
2. Në rubrikën “Në Fokus” do të ndiqeni se sa po zbatohet Plani i Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit. Sa raste të korrupsionit janë zgjidhur dhe si janë zgjidhur ato nga prokurorët?
3. Në rubrikën “Në Fokus” do të ndiqeni se si Prokurori i Shtetit ka anuluar vendimin e kundërligjshëm të prokurores Drita Hajdari, e cila kishte amnistuar rreth gjysmë milioni euro tatim, pas transmetimit të hulumtimit në emisionin “Betimi për Drejtësi”.  4. Në rubrikën “Në Fokus” do të ndiqeni se çfarë thonë zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, të partisë opozitare nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe të shoqërisë civile rreth legjislacionit për konfiskimin e pasurive të paligjshme në Kosovë.

“Betimi për Drejtësi” është emision i specializuar për fushën e sundimit të ligjit, i cili prodhohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) – organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse dhe Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK).  “Betimi për Drejtësi”  transmetohet në RTK1 të martën prej orës 20:10 minuta, ndërsa repriza pas një jave në mesditë.