Gjykata Supreme VS Prokurori i Shtetit

Author

“Betimi për Drejtësi”

Shkurt 8, 2017

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për “luftën” e Gjykatës Supreme me Prokurorin e Shtetit. Qindra e mijëra persona kanë kaluar në procedura penale dhe sot ende përballen me to, si rezultat i ngritjes së kallëzimeve penale pa bazë. Shumë prej denoncimeve apo kallëzimeve penale që bëhen, bëhen me tendenca dhe ju shërbejnë agjendave të caktuara për të diskredituar individ të ndryshëm. Në prokurori mbi gjysma e kallëzimeve penale për korrupsion, hudhen poshtë apo pushohen hetimet. Shqetësuese mbeten afatet e trajtimit të kallëzimeve penale nga prokurorët. Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ende vazhdon të mbetet i patrajtuar një kallëzim penal për korrupsion, i parashtruar në vitin 2002, duke e mbajtur qytetarin në evidenca penale si të dyshuar për korrupsion. Në këtë emision është trajtuar tema e trajtimit të kallëzimeve penale dhe afati i hetimeve deri në ngritjen e aktakuzës. Janë disa interpretime, të cilat mund të kenë kosto të madhe varësisht se si zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Në njërën anë, në pyetje është qëllimi për krijimin e sigurisë juridike për qytetarët, të cilët mbahen padrejtësisht me vite e dekada të tëra në evidenca penale dhe në anën tjetër në pyetje është rreziku që zbatimi i saktë i afateve kohore në procedurë penale mund të ndikojë në amnistinë e kryesve të veprave penale. Për të dy këto qëllime ka udhëzime dhe mendime juridike të ndryshme të nxjerra nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Gjykata Supreme e Kosovës. Ndiqeni “luftën” në mes të Gjykatës Supreme dhe Prokurorit të Shtetit se si duhet të zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Përfaqësuesi i Kryeprokurorit të Shtetit madje thotë se Mendimet Juridike të Gjykatës Supreme janë të kundërligjshme dhe nuk do të zbatohen nga prokurorët.

Gjatë emisionit do të ndiqni edhe rubrikën e monitorimit të rasteve të korrupsionit në të gjitha Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës.