GARA PËR KRYEPROKUROR TË SHTETIT

Author

“Betimi për Drejtësi”

Maj 13, 2014

Në emisionin “Betimi për Drejtësi” ndiqeni se si po zhvillohet gara për Kryeprokuror të Shtetit në Republikën e Kosovës. Në këtë fazë garën për Kryeprokuror të Shtetit janë duke e vazhduar tetë kandidatë. Emisioni “Betimi për Drejtësi” ka intervistuar të gjithë kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, me përjashtim të kandidatit Jusuf Mejzini, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili nuk ka pranuar të intervistohet me arsyetimin se gara është në proces. Kandidatët e intervistuar janë: Sylë Hoxha, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Agron Galani, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Pejës, Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Apelit në Prishtinë, Shyqri Syla, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Jetish Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Ali Rexha, prokuror në Prokurorinë Speciale si dhe Laura Pula, prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kandidatët kanë pasur në dispozicion të gjitha pyetjet, të cilat u janë dorëzuar një ditë më herët në mënyrë që të përgatiten për tu përgjigjur. Ndiqeni se si janë përgjigjur kandidatët në këto pyetje të parashtruara nga ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”: Pse jeni bërë prokuror? Pse nuk jeni bërë gjykatës? Cili ka qenë vendimi ma i vështirë apo më i rëndësishëm në jetë? Cili është problemi më i madh në sistemin prokurorial? Cilat janë tri mangësitë kryesore në sistemin prokurorial? Cili është problemi më i madh në sistemin e drejtësisë? A ka naj rast që Ju e keni referuar te EULEX-i? A pajtoheni me Gjykatën Speciale? A jeni të gatshëm që t’i ndiqni krimet e luftës? Si do ta luftoni krimin e organizuar dhe korrupsionin? Si do ta përmbushni vizionin e Prokurorit të Shtetit, cilat janë tri objektivat kryesore? Cili do të jetë suksesi konkret që Ju e garantoni pas dy vitesh si Kryeprokuror i Shtetit? A do të jetë i nevojshëm EULEX-i në Kosovë pas vitit 2016? Si do të sigurohet llogaridhënia në sistemin prokurorial? Nëse zgjidheni Kryeprokuror i Shtetit, cili do të jetë pozicioni Juaj, a do të lejoni që prokurorët të angazhohen jashtë orarit të punës?

Në vazhdim ndiqeni intervistën me avokatin Dastid Pallaska rreth garës për Kryeprokuror të Shtetit. Ku është sot sistemi prokurorial në Kosovë? Çka pritet nga Kryeprokurori i ri i Shtetit? Çfarë Kryeprokurori i duhet Kosovës? Mbi çfarë kritere duhet të përzgjidhet Kryeprokurori i ri? Cilat sfida e presin Kryeprokurorin e ri? Cili është roli i institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe si duhet të jetë ai?

Gjatë emisionit “Betimi për Drejtësi” do të ndiqni edhe rubrikat e rregullta “Në Kërkim” ku publikohen tre ndër personat më të kërkuar nga organet policore dhe “Në Fokus” për të parë se si prokurorët po e zbatojnë Planin e Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit.

“Betimi për Drejtësi” transmetohet të martën prej orës 20:10 minuta në RTK1, ndërsa repriza shfaqet pas një jave në mesditë.