Drejtësia selektive

Author

“Betimi për Drejtësi”

Nëntor 4, 2015

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për zbatimin e drejtësisë selektive nga institucionet e drejtësisë në Kosovë. Në këtë emision, mund të ndiqni dy hulumtime të zbatimit të drejtësisë selektive. Në hulumtimin e parë, shfaqet një rast i aksidentit në komunikacion, ku një ngasëse e veturës, kishte aksidentuar mbi 10 persona, të cilët po ecnin në trotuar, duke ju shkaktuar lëndime të rënda dhe të lehta trupore. Ky rast, ishte proceduar brenda muajit në prokurori dhe gjykatë, ku në një afat prej 26 ditësh, gjykata ka shpallur aktgjykimin, duke e dënuar të pandehurën. Hulumtimi do të trajtojë zbatimin e ligjit në këtë rast, duke paraqitur dëshmi se si palët e dëmtuara me lëndime të rënda trupore, nuk ishin njoftuar fare zyrtarisht që të bëhen pjesë e këtij procesi gjyqësor? Si palët e dëmtuara të aksidentit kishin mësuar përmes medieve për shpalljen e aktgjykimit? Çfarë thotë prokurori për trajtimin e shpejtë të këtij rasti? Çfarë thotë gjykatësi i lëndës dhe sa lëndë të komunikacionit ka ai në punë, të cilat mbesin të patrajtuara? Çfarë thotë Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës rreth trajtimit të këtij rasti?

Ndërsa, hulumtimi i dytë ka të bëjë me zbatimin e drejtësisë selektive nga ana e Komisionit Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Pse u zbatuan standarde të dyfishta për prokurorët ndaj të cilëve janë ngritur aktakua ndaj tyre? Pse Komisioni Disiplinor nuk i ka suspenduar vazhdimisht prokurorët ndaj të cilëve ka pasur të ngritur aktakuza? Pse Komisioni Disiplinor ka ndërruar praktikën dhe në rastin e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija, ndaj të cilës është ngritur aktakuzë, ka shqiptuar masën e suspendimit pa pagesë? Çfarë thotë për këtë vendim Shpresa Bakija?Çfarë thonë në Zyrën  e Prokurorit Disiplinor? Çfarë thonë Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial dhe çfarë thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile?

Si zakonisht, në fillim të emisionit, keni mundësi të ndiqni se kush janë tre prej personave më të kërkuar nga organet policore, në rubrikën “Në Kërkim”.