DREJTËSIA NË TEST

Author

“Betimi për Drejtësi”

Korrik 22, 2014

Ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi” për njohuritë e prokurorëve, gjykatësve dhe avokatëve për drejtësinë penale dhe zbatimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Një anketë e zhvilluar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë me 91 e prokurorë ka nxjerrë rezultate shqetësuese për njohuritë e prokurorëve për Kodin dhe Procedurën Penale. Nëse prokurorët, gjykatësit dhe avokatët nuk kanë njohuri për Kodin dhe Procedurën Penale, atëherë si mund të fitojë drejtësia?!… Nëse disa prokurorë dhe gjykatës nuk e kanë idenë për dispozita të caktuara penale, gjatë zbatimit të tyre në praktikë, sa shkelen të drejtat e qytetarëve nga këta zbatuesit të ligjit në Kosovë? Si ka mundësi që ata të kalojnë të gjithë filtrat dhe të bëhen prokurorë, gjykatës dhe avokatë kur kanë probleme serioze për të kuptuar çështjet më elementare të ligjeve bazike? Kush është fajtor për këtë situatë, për këtë nivel të njohurive të prokurorëve dhe gjykatësve? Si duhet të zgjidhet ky problem, që qytetarët të sigurohen se ata që e zbatojnë ligjin, vërtetë kanë njohuri dhe po e zbatojnë drejtë ligjin?

Për të diskutuar për këto tema mysafirë të Betim Musliut janë:

Z. Xhevdet Abazi, Gjykata e Apelit në Prishtinë
Z. Elez Blakaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë
Z. Lavdim Krasniqi, Instituti Gjyqësor i Kosovës
Z. Dastid Pallaska, Avokat

Gjatë emisionit “Betimi për Drejtësi” do të ndiqni rubrikat e rregullta. “Në kërkim” do të ndiqni se kush janë personat më të kërkuar nga organet policore, ndërsa në rubrikën tjetër “Në Fokus” do të ndiqni storien, e cila flet për rezultatet e anketës së zhvilluar me 91 prokurorë rreth të kuptuarit e risive në drejtësinë penale. Rezultatet nxjerrin në shesh disa prokurori, në të cilat asnjë prokurorë nuk është përgjigjur saktë në pyetjet e anketës. Të kuptuarit dhe zbatimi i procedurës penale, rezulton të jetë i ndryshëm jo vetëm në mes prokurorive por edhe në mes prokurorëve të të njëjtave prokurori.