Elshani: Zbatimi i ligjit për personat me aftësi të kufizuara ka ngecur në praktikë

Raporton: Albijona HOXHAJ

Besart Elshani, nga Avokati i Popullit, ka thënë se moszbatimi i ligjeve në Kosovë është problem madhor përfshirë këtu edhe legjislacionin që ka të bëjmë me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Sipas tij, zbatimi i këtij ligji në praktikë ka ngecur.

“U përmend se në vitin 2022  vetëm se është shpallur në bazë të një vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si vit për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa më shumë se tre vite është premtimi se do të ketë ligj, një ligj gjithëpërfshirës për të gjitha grupet e personave me aftësi të kufizuara,  mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodhë. Sot kemi një ligj të veçantë që ka të bëjë me tetraplegjikët dhe paraplegjikët dhe ligji  për personat e verbër, mirëpo zbatimi i tyre praktik ka ngecur”, ka thënë Elshani në emisionin “Tempus” në KTV.

Elshani ka shtuar se para dy vitesh është publikuar një raport në kundër Ministrisë së Infrastrukturës, raport ky që rekomandon që të paktën këto të drejta elementare të zbatohen në praktikë për personat me aftësi të kufizuara, respektivisht për personat e verbër.

“Siç është p.sh në trafikun urban, zbatohet lirimi nga pagesa e biletës, por në trafikun ndërurban ky ligj dhe një udhëzim administrativ që derivon nga ky ligj përcakton që së paku dy vende të jenë   të rezervuara për personat e verbër dhe të ketë lirim të biletës deri në 50%. Mirëpo,  këto rekomandime nuk kanë gjetur zbatim në praktikë”, është shprehur Elashani.

Po ashtu, ai ka thënë se kur bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara, ekziston edhe Udhëzimi Administrativ për kushtet teknike të ndërtesave për aksesin e personave me aftësi të kufizuara, i cili gjithashtu duhet të zbatohet dhe ky udhëzues zbaton masat, parametrat, pjerrësitë, si dhe aksesin fizik të personave me aftësi të kufizuara dhe për pasojë një anëtar i HANDIKOS-it ka paditur edhe Komunën e Prishtinës për moszbatimin e këtij udhëzimi. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë