Ekzamineri mohon se për përfitime personale ndihmoi klientën që të jap testin pa pasur njohuri

IMG-9955
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 22, 2021

Prishtinë – Ekzamineri i Qendrës për Patentë Shoferë në Prishtinë, Gëzim Kryeziu, ka mohuar që për përfitime materiale të ketë ndihmuar një kliente që të jap testin për patent pa pasur njohuri.

Bashkë me Kryeziun, në këtë rast për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, akuzohej edhe zyrtari i “Money Gram”, Ekrem Zhegrova, i cili pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me një vit burgim efektiv dhe 1,000 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryeziu duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Haxhi Millaku ka thënë se në ditën kritike kur po pretendohet se i njëjti kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, kishte qenë ekzaminer në njërin grup të kandidatëve për patent shofer të cilët kishin pasur provimin me shkrim.

Ai tha se disa minuta para fillimit të procesit të provimit, koordinatori Kamer Shabanit e kishte njoftuar se në cilin grup do të marrë pjesë, por sipas tij asi as nuk kishte qenë në njohuri se cilët kishin qenë kandidatët që do t’i nënshtroheshin provimit.

Ai ka thënë se ajo ditë kishte qenë ditë e zakonshme si të gjitha ditët tjera dhe se nuk kishte pasur ndonjë parregullsi.

I pyetur nga mbrojtësi i tij avokati Haxhi Millaku në lidhje me një video incizim ku shihet i akuzuari Kryeziu duke ia treguar me gisht kandidates përgjigjet e testit, i akuzuari ka thënë se kësaj kandidateje për shkak se ishte hera e shtatë që e njëjta kishte hyrë në këtë provim dhe pasi e njëjta kishte qenë e shqetësuar i kishte dhënë sqarime më shumë se tjerëve.

“I kam dhënë sqarime sidomos vajzës Shkurte Hashani të cilën e kam parë shumë të shqetësuar, pasi e kam parë në listë se e njëjta ka hyrë në provim për të shtatën herë, asaj për këtë arsye i kam dhënë sqarime ndoshta pak më shumë se të tjerëve”, ka thënë i akuzuari, i cili ka deklaruar se asnjëherë nuk kishte ndodhur që ta ndihmojë një kandidat për arsye përfitimi.

 

Ai tha se tashmë të dënuarin Ekrem Zhegrova e njeh që një kohë, mirëpo sipas tij ai asnjëherë nuk kishte kontaktuar me të në lidhje me ndonjë kandidat.

Në lidhje me 1,500 euro që policia ia kishin gjetur të akuzuari Kryeziu gjatë kontrollimit dhe për të cilat para dyshohet se i njëjti i kishte përfituar gjatë kryerjes së kësaj vepre penale, i akuzuari ka thënë se ato para kishin qenë të djalit të tij.

“Djali im e ka një mobil shop në Suharekë dhe unë pasi punojsha në Prishtinë, djali furnizimin e bënë në Prishtinë dhe ai e ka bërë porosinë, unë ka shku e kam marrë mallin dhe ia kam qu, prej asaj shumë 50 euro kanë qenë të mijat, tjerat kanë qenë të djalit”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, këto para janë sekuestruar nga ana e policisë dhe janë verifikuar se nuk janë mjete të stimuluara të rastit.

Avokati Millaku e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në prokurori 3 tetor 2019, ku kishte pranuar fajësinë për veprën penale, mirëpo sipas të akuzuarit ai i kishte pranuar veprimet që kishin ndodhur atë ditë, pa qenë në dijeni se veprimet e tij përbënin vepër penale.

Sipas tij, ligji e lejon që ti jepen sqarime një kandidat në momentin kur i njëjti kishte kërkuar sqarime, por sipas të akuzuarit kandidatja që e kishte ndihmuar për shkak të stresit qe e kishte pasur, e kishte tepruar me sqarime ndaj saj.

Prokurori Ibrahim Berisha e pyeti të akuzuarin Kryeziu se a e kishte pranuar kryerjen e veprës penale me dëshirë, pasi në deklaratën e dhënë në prokurori thuhet se i njëjti pas konsultimit me mbrojtësin e tij të angazhuar personalisht Naim Aliun, e kishte pranuar fajësinë.

“Kurrë në jetën time nuk gënjej, unë as që e kam ditur se çka është kundërvajtja apo vepra penale nga neni 414, unë e kam pranuar se i kam ndihmuar kandidates, kurrkush nuk më ka thënë se kjo është vepër penale”, ka thënë Kryeziu.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni se duke pasur parasysh numrin e aksidenteve që ndodhin në Kosovë, pse e kishte ndihmuar atë kandidate, i akuzuari ka thënë se edhe nëse gjykatësja do të ishte në vend të tij dhe duke para ë gjendjen emocionale të saj do ta kishte ndihmuar.

“Nuk ka qenë e domosdoshme me i ndihmu, mirëpo jam mundur me ia lehtësu, konsideroj se vërja me gisht tek përgjigjet e sakta është edhe sqarim edhe ndihmë”, ka thënë Kryeziu.

Ai tha se pranon që e kishte ndihmuar kandidaten, mirëpo sipas tij nëse do të mund ta kthente kohen pas nuk do të bënte asnjëherë veprime të tilla.

“I pranoj të gjitha veprimet e mija dhe sot me u kthy mbrapa kurrë se kisha ba, me asnjë kusht, dhe nuk e kam bërë për përfitim material, ajo çka ka ndodhur ka ndodhur, ai veprim ka qenë i momentit”, ka thënë në fund i akuzuari.

Ndryshe në këtë seancë, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e avokatit Millaku që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen koordinatori përgjegjës për mbarëvajtjen e testit Kamber Shabani, instruktorja Blerona Shabani, si dhe i bashkakuzuari Zhegrova.

Fjala përfundimtare është caktuar për 3 mars 2021, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 7 tetor 2019, ndaj Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “pranim i ryshfetit në sektorin privat”.

Kryeziu akuzohet se më 18 shtator 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, duke shfrytëzuar pozitën e tij kishte marrë instruksione nga i akuzuari Zhegrova që t’i ndihmonte një kandidates në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, Kryeziu pretendohet se iu kishte ofruar kandidates, duke i treguar me gisht pyetjet e sakta me qëllim që ajo të kalonte provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri.

Me këtë ai akuzohet për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, nga neni 414 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari Zhegrova, akuzohej se sa ishte në cilësi të zyrtarit në “Money Gram”, është takuar me të dëmtuarën Sh.G, e cila kishte për t’iu nënshtruar provimit për patentë shofer, e nga e cila kërkon drejtpërdrejtë 500 euro, me qëllim që asaj t’i ndihmojë për të kaluar provimin, duke i dhënë asaj instruksione që të mos plotësonte pyetjet, sepse do ta ndihmonte një ekzaminer.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo gjë ishte vërtetuar përmes masave të fshehta të aplikuara, e nga to shihej se bëhej fjalë për ekzaminerin Kryeziu.

Me këtë ai akuzohej për veprën penale “pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309, i paragrafit 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi