Ekspertja e psikiatrisë nuk arrinë të kryej ekspertizën me kohë, shtyhet seanca në rastin ku kryetari i Lipjanit po kërkon kompensim të dëmit në vlerë 10 mijë euro nga gazetari Granit Duriqi

219234626_223064663015800_3792074704808492896_n
Author

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Korrik 19, 2021

Lipjan – Mos kryerja në kohë e ekspertizës psikiatrike nga ekspertja Nazmije Musliu, ka pamundësuar mbajtjen e seancës kryesore të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega  në Lipjan, në rastin ku kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti po kërkon 10 mijë euro kompensim nga gazetari Granit Duriqi.

Një shumë të tillë, Ahmeti po e kërkon me pretendimin se gazetari Duriqi ka shpifur ndaj tij raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Isa Gashi ka njoftuar palët se ekspertja Musliu e ka njoftuar  gjykatën me shkrim  se nuk ka mundur ta përfundoj ekspertizën për faktin se paditësi ka qenë i zënë dhe nuk ka mundur të shkojë në ekzaminim të drejtëpërdrejtë tek ekspertja.

Andaj, meqenëse ekspertja Musliu gjykatës nuk i ka dorëzuar gjykatës mendimin dhe konstatimin me shkrim, përkatësisht ekspertizën, gjykata seancën e radhës e caktoi më 13 shtator 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 13 dhjetor 2018 kishte refuzuar propozimin e propozuesit të sigurimit Imri Ahmetit, për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me anë të së cilës, Ahmeti kishte kërkuar që t’i ndalohet kundërshtarit të sigurimit, Granit Duriqi, në portalin “Ulpiana Press”, që të përhap në vazhdim informacionin e pavërtetë me përmbajtje, shpifje dhe fyerje në drejtim të propozuesit të sigurimit.

I autorizuari i paditësit, aktvendimin e shkallës së parë e kishte atakuar në Gjykatë të Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe ligjit material, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën dhe çështjen ta kthej në rivendosje dhe rigjykim në shkallë të parë, apo të ndryshoj aktvendimit e atakuar.

Mirëpo Gjykata e Apelit, më 19 mars 2019 e kishte refuzuar këtë ankesë si të pabazuar, duke vërtetuar kështu aktvendimin e shkallës së parë.

Sipas padisë së ushtruar më 5 nëntor 2018, Imri Ahmeti ka paditur gazetarin e portalit “Ulpiana Press”, për kompensim dëmi, pasi pretendon se ai ka bërë shpifje ndaj tij.

Sipas padisë, i padituri më 22 tetor 2018, në portalin “Ulpiana Press”, ka shpifur duke publikuar fakte të pavërteta me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, duke përmendur shifrën mbi 15 mijë euro për gjashtë muajt e parë të këtij viti për dreka zyrtare.

Në padi thuhet se në të njëjtin shkrim, i padituri kishte postuar foton e Imri Ahmetit, foton e Komunës së Lipjanit dhe foton me disa kartëmonedha nga 500 euro, në mënyrë të paautorizuar, ndërsa e ka ditur ose është dashur ta dijë se kjo e shkruar nga ana e të paditurit është e pavërtetë, kuptimi i së cilës e ka dëmtuar rëndë reputacionin e paditësit dhe të familjes së tij.

Sipas padisë, për këtë shpifje dhe fyerje nga ana e të paditurit, më 23 tetor 2018 ka reaguar Komuna e Lipjanit, e cila shpifjen e ka kundërshtuar se për tetë muaj paditësi ka shpenzuar vetëm 317.81 euro për dreka dhe darka zyrtare.

Po ashtu, sipas padisë, i padituri, më 24 tetor 2018 ka bërë një postim në portalin “Ulpiana Press”, me foto të Komunës së Lipjanit dhe një sasi të kartëmonedhave nga 500 euro, me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit i ka shpenzuar 30.000 euro për ushqim e karburant”.

Në padi thuhet se paditësi me SMS në “Viber” i ka paraqitur kundërshtimet duke i kërkuar të njëjtit medium “Ulpiana Press”, të bëjë demantimin e shpifjes dhe fyerjes së paraqitur, sipas Ligjit Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Më tutje, në padi thuhet se edhe organizata jo-qeveritare “Polis”, ka bërë sqarim lidhur me postimin që përmban shpifje të paraqitur nga ana e të paditurit.

Sipas padisë, paditësi i gjetur në gjendje të rëndë të cenimit të personalitetit, dinjitetit dhe autoritetit, i është shkaktuar shqetësim, çrregullim në jetën e tij, ku ka preokupime që i shkaktojnë pasoja psikike në kryerjen me sukses të detyrave.

I padituri deri në ditën e përpilimit të kësaj padie nuk ka ndërmarr asnjë veprim në drejtim të zbutjes së dëmit të shkaktuar, me ofrimin e kërkim faljes apo ndonjë veprimi tjetër.

Paditësi me këtë padi kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurin Granit Duriqi, gazetar i “Ulpiana Press”, që paditësit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar si pasojë e publikimit të fakteve të pavërteta në portalin “Ulpiana Press”, më 22 tetor 2018, me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, si për artikullin e 24 tetorit 2018, me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit 30 mijë euro për ushqim e karburant”.

Gjithnjë sipas padisë, në këtë mënyrë ia ka cenuar dhe dëmtuar personalitetin dinjitetin, reputacionin, ashtu që paditësi kërkon të shpërblehet në shumë prej 10 mijë euro për këtë dëm, si dhe në të ardhmen t’i ndalohet të shpif dhe të fyej, si dhe të detyrohet t’i tërheq postimet e paraqitura lidhur me personalitetin e paditësit.

Në padi thuhet se meqenëse i padituri ka vazhduar të bëjë publikime duke e fyer paditësin, i kanë propozuar gjykatës që të caktohet masë e përkohshme e sigurisë dhe t’i ndalohet të paditurit Granit Duriqi, gazetar në portalin “Ulpiana Press”, që të përhap në vazhdim informacione të pavërteta me përmbajtje shpifje dhe fyerje, në drejtim të paditësit. /BetimipërDrejtësi