Ekspertizë mjekësore në rastin ku paditësi po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë mbi 9 mijë euro

Raporton: Valdita KELMENDI

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtine e ka aprovuar  propozimin e  të autorizuarit të paditësit  Liridon Berisha, avokatit Adrian Gjoshi për marrjen e provës përmes ekspertizave mjekësore.

Fillimisht në seancën e së martës përfaqësuesi i paditësit Berisha, avokati Gjoshi gjykatës i ka propozuar që të caktohet ekspertizë mjekësore nga lëmia e ortopedisë-traumatologjisë dhe psikiatrisë, pasi që sipas tij, baza juridike e kërkesëpadisë nuk është kundërshtuar nga e paditura Kompania e Sigurimeve “Prisig”.

Ai tha se detyrë e ekspertëve do të jetë përcaktimi i shkallës së dëmit dhe natyra e lëndimeve trupore, “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim i tillë nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesi i të paditurës avokati Sami Rexha, me arsyetimin se e paditura nuk e ka kundërshtuar bazën juridike të kërkesëpadisë, por vetëm lartësinë e shumës.

Pas kësaj, gjykatësja Rezarta Sylejmani Voca e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për nxjerrjen e provës përmes ekspertizave mjekësore.

Ndërsa, sa i përket caktimit të emrave të ekspertëve, e njëjta tha se do të vendosë jashtë seancës gjyqësore me aktvendim të veçantë.

Seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizave.

Ndryshe, sipas padisë te ushtruar më 12 prill 2017, paditësi Liridon Berisha  po kërkon nga i padituri  Kompania e Sigurimeve “Prisig”, kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në vlerë  9 mijë e 870 euro.

Në padi thuhet se paditësi Berisha i drejtohet gjykatës për kompensimin  dëmit material dhe jomaterial nga i padituri “Prisig” për shkak të një aksidenti në trafik derisa ai ishte duke kaluar në vendkalim për këmbësor.

Më tutje në padi  thuhet se përfaqësuesi i paditësit, avokati Gjoshi ka thënë se do ta argumentojë dëmin e shkaktuar në aksidentin e trafikut, duke u mbështetur në dispozitat e ligjit të aplikueshëm.

Ndryshe në përgjigjen në padi të paditurës “Prisig’, thuhet se e paditura nuk e konteston bazën juridike të kërkesëpadisë, mirëpo e konteston  lartësinë e shumës  së kërkesëpadisë të cilën e ka kërkuar paditësi Berisha me anë të kërkesëpadisë.

Sipas përgjigjes në padi, thuhet se me kërkesën për kompensim të dëmit nga paditësi Berisha, e paditura “Prisig” kishte dalë me ofertë në vlerë prej 1 mijë e 29 euro e 90 centë, e cila shumë sipas të paditurës është reale. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë