Ekspertizë financiare në rastin ku paditësi po kërkon mbi 4 mijë euro për pagat e papaguara

Raporton: Ronesa DRAGUSHA

Prishtinë – Në seancën e së enjtes është propozuar ekspertizë financiare në rastin ku paditësi Bajram Fejzullahu ka paditur Kolegjin AAB dhe nga kjo e fundit po kërkon kompensimin e pagave të papaguara në vlerë 4 mijë e 50 euro.

Propozimin e tillë e ka bërë përfaqësuesi i Fejzullaut, avokati Mustafë Nuhiu, i cili për ekspert e ka propozuar Dr.Aziz Berishën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu Nuhiu tha se, eksperti Berisha duhet të përllogarisë pagat e papaguara të paditësit në kolegjin AAB nga data 1 korrik deri me 21 shtator 2019 duke përfshirë të ndara kontributin pensional dhe tatimin në pagë, përvojën e punës si dhe kamatën ligjore 8% në vit duke filluar nga data e ushtrimit të padisë deri në ditën e përpilimit të ekspertizës.

Gjithashtu Nuhiu në fillim të seancës ka bërë ndryshimin objektiv të padisë duke kërkuar që të detyrohet e paditura në emër të tri pagave të papaguara për periudhën kohore, korrik, gusht dhe shtator 2019 t’ia paguajë shumën totale prej 4,050 euro

Nuhiu tha se ka kërkuar edhe që paditësit t’i paguhet kontributi pensional ne shumën ashtu siç do të përcaktohet me ekspertizë dhe tatimin ne page në shumën siç do të përcaktohet me ekspertizë.

Ndryshe, përfaqësuesi i AAB, Granit Curri e ka kundërshtuar propozimin për ekspertizë financiare pasi që e vlerëzojnë se duhet që fillimisht të vlerësuar vërtetësinë dhe bazën e padisë e pastaj të vijohet me lartësinë e saj.

I njëjti ka thënë pas pyetjeve nga gjykatësja Valentina Sopjani, ka pohuar se nuk ka pasur ndonjë vendim të shkruar apo me vulë për shkëputjen e kontratës, por ka e-mail që e ka informuar paditësin për shkëputje të kontratës.propozimin

Mbi këtë bazë gjykatësja Sopjani e ka aprovuar propozimin e avokatit Nuhiu për marrjen e provës me ekspertizë financiare si dhe për ekspert është caktuar Aziz Berisha.

Gjykatësja Sopjani ka konstatuar se detyrë e ekspertit është kalkulimi i pagave të papaguara duke përfshirë tatimin në pagë dhe kontributet në mënyrë të ndarë nga paga neto, si dhe të llogaris kamatën ligjore nga 22 nëntori 2019 deri në përpilimin e ekspertizës.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 22 nëntor 2019 paditësi Bajram Fejzullahu, ka qenë në marrëdhënie pune të e paditura Kolegji AAB si profesor nga data 25 mars 2017.

Ndërkaq sipas padisë, AAB nuk ka bërë kompensimin e pagave të papaguara për periudhën kohore korrik, gusht, ahtator 2019 ndaj paditësit Fejzullahu, për çka ka bërë shkelje të detyrimit kontraktues nga marrëdhënia e punës.

Po ashtu sipas padisë me 1 korrik 2019 paditësi është drejtuar të paditurës duke e informuar se ka aplikuar në konkursin publik në sektorin publik Universitetin “Kadri Zeka” si ligjërues i lëndëve ekonomike.

Ndërkaq sipas padisë paditësi me 26 gusht 2019 përmes postës elektronike ka kërkuar sqarim për mospërmbushjen e kontratës nga e paditura AAB respektivisht pagesës së muajit korrik, gusht dhe shtator 2019.

Tutje sipas padisë, paditësi nuk është njoftuar sipas Ligjit të Punës përmes një vendimi  në formë të shkruar duke përfshire edhe arsyeje e ndërprerjes së kontratës, përkundrazi kontrata e punës ka qenë në fuqi deri në njoftimin për ndërprerjen e punës nga ana e paditësit Fejzullahu.

Mbi këtë bazë paditësi ka kërkuar përmes padisë që t’i aprovohet kërkesëpadia ndaj paditëses AAB dhe të detyrohet e njëjta që në emër të pagave të papaguara për periudhën korrik, gusht dhe shtator 2019 t’ia paguaj shumën 4,050.00 euro dhe t’ia paguajë edhe përvojën e punës dhe pagesën e pushimit vjetor për periudhën punuese te e paditura, në shumën që do caktohet me ekspertizë financiare, me kamatë 8%.

Ndërsa sipas përgjigjes në padi e paditura AAB e ka ka kundërshtuar si të palejueshme kërkesëpadinë dhe padinë e paditësit Fejzullahu si të palejueshme dhe të pathemeltë. Pasi që paditësi nuk e kishte respektuar kontratën e punës, ku thuhet se “punëdhënësi përveç angazhimit në AAB nuk i lejohet të ketë angazhim në ndonjë institucion tjetër arsimor apo punë tjetër sekondare pa lejen e punëdhënësit.”

Sipas përgjigjes në padi thuhet se si pasojë e mosrespektimit të kontratës nga paditësi e paditura me 10 qershor 2019 përmes e-mailit e ka njoftuar paditësin se si pasojë e  mosrespektimit të kontratës nga ana e të njëjtit, nga 1 qershori, kontrata e punës i ishte shkëputur.

Mbi këtë bazë në përgjigjen në padi e paditura ka kërkuar që të hidhet poshtë si e palejuar padia e paditësit Fejzullahu./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë