Ekspertizë e makinerisë do të bëhet në rastin ku kërkohet kompensim dëmi për aksidentin në trafik

28
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Tetor 15, 2020

Prishtinë – Ekspertizë e makinerisë do të bëhet në rastin ku paditësi Burim Sadiku, po kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), kompensimin e dëmit material dhe jomaterial për aksidentin që kishte ndodhur në mars të vitit 2014, në Prishtinë.

Ekspertiza e makinerisë është caktuar pas propozimit të përfaqësueses së paditësit avokates Fatmire Mehmeti, e cila tha se në këtë mënyrë do të përcaktohen dëmet e shkaktuara në automjet gjatë aksidentit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ajo tha se e kishte pranuar super ekspertizën e komunikacionit të punuar nga tre ekspertë dhe për të njejtën tha se nuk kishte vërejtje duke shtuar se e mbështet në tërësi këtë ekspertizë.

E një propozim i tillë nuk është kundërshtuar nga përfaqësuesja e të paditurës Donjeta Cakolli.

Mirëpo sa i përket super ekspertizës së komunikacionit e njejta ka pasur vërejtje duke shtuar se të njejtat i kanë dhënë përmes një parashtrese të dorëzuar në gjykatë më 16 korrik 2020.

Andaj ajo i ka propozuar gjykatës që në seancën e radhës të ftohet edhe njëri nga tre ekspertët që kishin përpiluar këtë ekspertizë për të dhënë sqarimet e tyre lidhur me vërejtjet dhe pytjet e parashtruara nga e paditura.

Pas kësaj gjykatësja Saranda Bogaj-Sheremeti, tha se nuk e kishin pranuar një parashtresë të tillë duke e aprovuar propozimin e përfaqësueses së të paditurës që për seancën e radhës të ftohet njëri nag tre eskpertet.

Po ashtu gjykatësja Bogaj-Sheremeti, e ka aprovuar edhe propozimin e përfaqësueses së paditësit për nxjerrjen e provës nga lëmia e makinerisë, ndërsa për detyrat e ekspertit ajo tha se do të përpilojë aktvendim të veçantë.

Ndërsa seanca e radhës ajo tha se do të caktohet pas pranimit të ekspertizës nga lëmia e makinerisë.

Sipas padisë së ushtruar më 16 korrik 2014, paditësi Burim Sadiku, po kërkon nga BKS-ja, kompensimin e dëmit material dhe jo material të shkaktuar në aksident trafiku në shumën e përgjithshme prej 900 euro, me kamat prej 8%, nga paraqitja e padisë deri në pagesën përfundimtare për mjetet e deponuara në bankë mbi një vitë me kërkesë të përmbarimit të dhunshëm.

Bazuar në padi më 5 mars 2014, te rrethi në Prishtinë “Rama Petroll” ka ndodhur aksident komunikacioni në mes të kamionit “Vollvo” të cilin e drejtonte Boshko Petrovski dhe automjetit tjetër “Audi A8” të cilin e drejtonte tani paditësi Sadiku.

Në padi thuhet se automjeti i cili është shkaktar i aksidentit në momentin e shkaktimit të tij, ka pasur sigurim kufitar, për të cilin automjet thuhet se ishte duke e drejtuar Boshko Petrovci.

Sipas padisë, paditësi kërkesën e padisë e ka bazuar në rregullat juridike mbi përgjegjësin nga dëmet e shkaktuara nga sendet e rrezikshme bazuar në dispozitën e nenit 159 të LMD-së, si dhe Sigurimit të Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Mbi këtë bazë ai po kërkon nga gjykata që të detyrohet e paditura që atij t’ia kompensojë dëmin mateial dhe jomaterial të shkaktuar në aksidnetin e vitit 2014. /BetimipërDrejtësi