Ekspertiza s’dorëzohet me kohë, dështon gjykimi ku kryetari i Lipjanit po kërkon 10 mijë euro për shpifje nga gazetari

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- I padituri Granit Duriqi dhe i autorizuari i tij avokati Alban Arifi, në seancën e së mërkurës deklaruan se nuk e kanë pranuar ekspertizën e punuar nga ekspertja e psikiatrisë Nazmije Musliu, andaj kjo bëri që dë dështojë seanca e së mërkurës.

Në këtë rast, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti po kërkon 10 mijë euro nga i padituri Granit Duriqi për shpifje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Isa Gashi, pasi konstatoi se në seancë nuk ishte e pranishme as ekspertja e psikiatrisë dr.Nazmije Musliu, palës së paditur ua dorëzoi një kopje të ekspertizës.

Ndërsa, për eksperten dr. Nazmije Musliu, gjykatësi Gashi tha se e njëjta ishte njoftuar përmes telefonit mobil, por nuk ishte prezente në seancë.

Andaj, në bazë të deklarimeve të lartcekura, gjykatësi Gashi përmes aktvednimit seancën e sotme e shtyu, ndërsa e radhës u caktua më 17 nëntor 2021.

Me ftesë për seancën e radhës do të ftohet ekspertja gjyqësore dr.Nazmije Musliu, psikiatre punëtore QKUK-së.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, në dhjetor 2018 kishte refuzuar propozimin e paditësit Imri Ahmetit, për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me anë të së cilës, Ahmeti kishte kërkuar që të mos jetë publik teksi i Granit Duriqi, në portalin “Ulpiana Press”, që sipas tij përhap informacionin e pavërtetë me përmbajtje, shpifje dhe fyerje ndaj tij.

I autorizuari i paditësit, aktvendimin e shkallës së parë e kishte atakuar në Gjykatë të Apelit, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe ligjit material, me propozim që Apeli ta aprovojë ankesën dhe çështjen ta kthejë në rivendosje dhe rigjykim në shkallë të parë, apo të ndryshojë aktvendimit e atakuar.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 19 mars 2019 e kishte refuzuar këtë ankesë si të pabazuar, duke vërtetuar kështu aktvendimin e shkallës së parë.

Sipas padisë së ushtruar më 5 nëntor 2018, Imri Ahmeti ka paditur gazetarin e portalit “Ulpiana Press”, për kompensim dëmi, pasi pretendon se ai ka bërë shpifje ndaj tij.

Sipas padisë, i padituri më 22 tetor 2018, në portalin “Ulpiana Press”, ka shpifur duke publikuar fakte të pavërteta me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, duke përmendur shifrën mbi 15 mijë euro për gjashtë muajt e parë të vitit për dreka zyrtare.

Në padi thuhet se në të njëjtin shkrim, i padituri kishte postuar foton e Imri Ahmetit, foton e Komunës së Lipjanit dhe foton me disa kartëmonedha nga 500 euro, në mënyrë të paautorizuar, ndërsa e ka ditur ose është dashur ta dijë se ky tekst nga ana e të paditurit është e pavërtetë, kuptimi i së cilit e ka dëmtuar rëndë reputacionin e paditësit dhe të familjes së tij.

Sipas padisë, për këtë shpifje dhe fyerje nga ana e të paditurit, më 23 tetor 2018 ka reaguar Komuna e Lipjanit, e cila shpifjen e ka kundërshtuar se për tetë muaj paditësi ka shpenzuar vetëm 317 euro e 81 centë për dreka dhe darka zyrtare.

Po ashtu, sipas padisë, i padituri, më 24 tetor 2018 ka bërë një postim në portalin “Ulpiana Press”, me foto të Komunës së Lipjanit dhe një sasi të kartëmonedhave nga 500 euro, me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit i ka shpenzuar 30 mijë euro për ushqim e karburant”.

Në padi thuhet se paditësi me SMS në “Viber” i ka paraqitur kundërshtimet duke i kërkuar të njëjtit medium “Ulpiana Press”, të bëjë demantimin e shpifjes dhe fyerjes së paraqitur, sipas Ligjit Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Më tutje, në padi thuhet se edhe organizata jo-qeveritare “Polis”, ka bërë sqarim lidhur me postimin që përmban shpifje të paraqitur nga ana e të paditurit.

Sipas padisë, paditësi i gjetur në gjendje të rëndë të cenimit të personalitetit, dinjitetit dhe autoritetit, i është shkaktuar shqetësim, çrregullim në jetën e tij, ku ka preokupime që i shkaktojnë pasoja psikike në kryerjen me sukses të detyrave.

I padituri deri në ditën e përpilimit të kësaj padie nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të zbutjes së dëmit të shkaktuar, me ofrimin e kërkimfaljes apo ndonjë veprimi tjetër.

Paditësi me këtë padi kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurin Granit Duriqi, gazetar i “Ulpiana Press”, që paditësit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar si pasojë e publikimit të fakteve të pavërteta në portalin “Ulpiana Press”, më 22 tetor 2018, me titull “Pushteti i Imri Ahmetit nuk ngopet, shpenzon mijëra euro për dreka”, si për artikullin e 24 tetorit 2018, me titull “Për tre muaj Komuna e Lipjanit 30 mijë euro për ushqim e karburant”.

Gjithnjë sipas padisë, në këtë mënyrë ia ka cenuar dhe dëmtuar personalitetin, dinjitetin, reputacionin, ashtu që paditësi kërkon të shpërblehet në shumë prej 10 mijë euro për këtë dëm, si dhe në të ardhmen t’i ndalohet të shpif dhe të fyej, si dhe të detyrohet t’i tërheq postimet e paraqitura lidhur me personalitetin e paditësit.

Në padi thuhet se meqenëse i padituri ka vazhduar të bëjë publikime duke e fyer paditësin, i kanë propozuar gjykatës që të caktohet masë e përkohshme e sigurisë dhe t’i ndalohet të paditurit Granit Duriqi, gazetar në portalin “Ulpiana Press”, që të përhapë në vazhdim informacione të pavërteta me përmbajtje shpifje dhe fyerje, në drejtim të paditësit. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë