Ekspertiza nuk është gati, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Mos përgatitja e ekspertizës financiare nga eksperti Qemajl Smajli, ka rezultuar me shtyrjen e seancës së paraparë ndaj të pandehurit Hafir Gallopeni.

Seanca ishte paraparë që të zhvillohej të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku Gallopeni, do të gjykohej për veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Në seancën e kaluar, i pandehuri Hafir Gallopeni dhe mbrojtësi i tij, Asman Hoxha, kanë angazhuar ekspertin financiar Qemajl Smajli, për të bërë ekspertizën e provave të këtij rasti.

Por, prokurorja Ervehe Gashi tha se provat ngritin dyshimin e bazuar mirë, se i akuzuari me veprimet e tij, ka dëmtuar ujësjellësin “Hidroregjionin Jugor” në Prizren, në vlerë prej 20 mijë euro.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka njoftuar se seanca e radhës do të caktohet pasi që të pranojë ekspertizën financiare nga eksperti në fjalë.

I akuzuari dyshohet se duke punuar si inkasantë në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, ka përvetësuar para, në shumë prej rreth 20 mijë euro.

Gjykimi zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur fillimisht ndaj Hafir Gallopenit, Faik Berishës, Isen Ramanajt dhe Dardan Gashit.

Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procedura vazhdon.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë