Eksperti thotë se që nga fillimi i punimit të objekteve, kishte munguar prezenca e ekspertit të gjeodezisë

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Eksperti i gjeodezisë, Hamit Basholli deklaroi se që nga fillimi i punimit të objekteve, kishte munguar prezenca e ekspertit të gjeodezisë dhe sipas tij edhe në dosje mungojnë pikat gjeodezike sipas lejes së lëshuar.

Këtë deklarim, Basholli e ka dhënë në seancën e së martës, në gjykimin ku ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Fushë Kosovës, Afrim Krasniqi dhe inspektoret e ndërtimit, Valbona Ferati, Doruntina Dumani dhe Mobere Hyseni, po akuzohen për dallavere me leje ndërtimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Basholli ka thënë se për objektin e parë përmendet prezenca e gjeodetit, kurse për objektin e dytë nuk përmendet fare.

“Edhe për objektin e parë prezenca e gjeodetit përveç si emër nuk figuron në dokumentacion puna e tij. Nga aspekti gjeodezik pikat e njollës së objektit të cilat lëshohen bashkë me lejen ndërtimore i lëshon gjeodezia për urbanizëm dhe të njëjtat sipas kritereve të punës së gjeodetit mund të devijojnë vetëm 0.1 metër nga koordinatat e dhëna me leje, gjegjësisht nga madhësia e njollës nuk mund të jetë më e madhe ose më e vogël se 2%”, tha Basholli.

Ai ka sqaruar se në dokumentacion flitet për vendimin e marrë në teren nga ana e inspektorëve dhe investitorit, por që nuk reflekton ndonjë veprim gjeodezik në raport me vendimin e marrë.

Sipas tij, objekti i parë nuk ishte vendosur sipas pikave gjeodezike sipas lejes së ndërtimit dhe përgjegjës për prezencën e gjeodetit është poseduesi i lejes ndërtimore respektivisht kompania dhe në këtë rast inspektorët nuk janë ata që përcaktojnë zhvendosjen e pikave.

Ai tha se ekspertët dhe poseduesit e lejes për çdo ndryshim të pikave gjeodezike është dashur ta marrin miratimin nga drejtoria e urbanizimit.

I pyetur nga prokurorja Merrushe Llugiqi, se sa kishte qenë zhvendosja e pikave gjeodezike në rastin konkret, eksperti tha se në rastin konkret në dosje mungojnë pikat gjeodezike të cilat do të mundësonin krahasimin me gjendjen faktike respektivisht devijimin, mirëpo sipas tij nga matjet e gjeodetit të vitit 2016 dhe nga Inspektorati dhe poseduesi i lejes konstatohet devijimi i njollës së objektit nga pozicioni i aprovuar sipas lejes ndërtimore.

Sipas tij, pozicionimi i objektit bëhet vetëm nga drejtoria e urbanizimit dhe ajo lejohet edhe në rastin e ndërtimit në harmoni me objektet fqinje.

Tutje, e akuzuara Mobera Hyseni ka pyetur ekspertin Basholli se gjatë vizitës në teren, objektet ndërtimore dhe objekti një dhe dy a kanë qenë në përputhje me objektet fqinje dhe se gjatë përpilimit të ekspertizës a ishte referuar në vendimin e vitit 2012 të Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës ku thuhet se lejohet rikonstruimi i rrugëve dhe blloqeve në rast se objektet fqinje janë pa leje dhe objektet me leje duhet t’iu përshtaten objekteve ekzistuese.

Lidhur me këtë, eksperti gjeodezik tha se gjendjen aktuale nuk e ka përshkruar në ekspertizën e tij dhe se ai i është referuar vetëm ligjit dhe udhëzimit administrativ përkatës.

“Zakonisht çfarëdo projektimi i paraprin një matje gjeodezike të gjendjes faktike, kështu që nuk ju kam referuar këtij vendimit”, shtoi Basholli.

I pyetur nga trupi gjykues se a kishte pasur matje gjeodezike derisa është lëshuar një leje, eksperti tha nuk e dinte nëse kishte pasur matje gjeodezike apo jo pasi që në dosje nuk kishte hasur dhe sipas tij ato janë procedura të cilat i kërkon drejtoria e urbanizimit.

Sipas tij, rrethanat mund të ndryshojnë dhe ta bëjnë të pazbatueshme një leje por për revidimin e lejes duhet iniciuar gjendja e ndryshuar në teren dhe me këtë arsyeshmëri të kërkohet revidimi i lejes e cila kërkohet nga investitori.

Si shkaqe dhe rrethana të cilat mund të kushtëzojnë një ndryshim të caktuar të pikave gjeodezike, ai tha se janë kryesisht objektet ose ndryshimet që kanë ndodh në ndërkohë në objektet përreth apo infrastruktura e caktuar në raste të përgjithshme.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica se a i kishte pasur objekti koordinatat e caktuara sipas dokumentacionit që kishte pasur në shikim, eksperti tha se përderisa është me leje, i ka pasur edhe pikat të cilat e përcaktojnë pozicionin dhe lokacionin e objektit.

Ndërsa, gjykatësja Krasniqi e pyeti se a kishte vërejtur se për t’i ikur rrugës dhe për të qenë në paralele me objektet tjera fqinje sipas një procesverbali, janë bërë zhvendosjet e këtyre pikave gjeodezike.

Për këtë, eksperti tha se ai mendon se lokacioni i objektit nuk ishte përcaktuar po atë ditë sepse aty ka deklarata edhe të përfaqësuesve të kompanisë që pikat gjeodezike për zhvendosje nuk janë vendosur atë ditë.

I pyetur se si ekspert i gjeodezisë a do të bënte zhvendosjen e pikave për të vepruar paralel me objektet tjera fqinje dhe për t’i ikur rrugës, Basholli tha se gjeodeti duhet gjithmonë të ekzekutojë në terren pikat gjeodezike të aprovuara, e në rast se gjendja faktike ka ndryshuar dhe nuk e mundëson një gjë të tillë, atëherë investitori sipas tij duhet të kërkojë matjen e gjendjes faktike.

“Angazhimin e gjeodetit gjithmonë e ka investitori e pastaj investitori ia prezanton drejtorisë për urbanizimin dhe atë me kërkesë për ndryshim të lejes për ndryshim të pikave gjeodezike”, tha eksperti i gjeodezisë.

Në fund, Basholli tha se ekspertiza gjeodezike për pozicionimin e objektit kërkohet që të plotësohet nga poseduesi i lejes dhe sipas tij inspekcioni përgjithësisht nuk kanë gjeodet të angazhuar, gjë që i vë në pozitë të pafavorshme sepse shërbimet të cilat gjeodeti i ofron investitori nga aspekti profesional kontrollohen gjegjësisht monitorohen nga gjeodeti, i cili është i punësuar pranë drejtorisë së urbanizmit.

“Gjeodeti i merr pikat gjeodezike prej urbanizmit i ekzekuton në terren në prezencë e inspektorëve, pas piketimit bëhet matja e re e pikave të piketuara të cilat përmes inspektorit shkojnë te gjeodeti të drejtorisë për urbanizëm dhe kjo procedurë është mbasi të merret leja”, tha Basholli.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 16 qershor 2022, ku pritet  të jepet fjala përfundimtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspekcionit në Fushë Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare.

Dumani dhe Hyseni, thuhet se gjatë vizitës së punishtes më 30 maj 2014, kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit për ndërtimin e objektit numër l, sipas lejes ndërtimore të “Princesha Construction”, dhe kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë Kosovës.

Aktakuza thotë se Valbona Ferati dhe Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, gjatë periudhës kohore 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalimit të lejes ndërtimore.

Si rrjedhojë e kësaj, të akuzuarat Hyseni, Dumani dhe Ferati, thuhet se i kishin mundësuar investitorit të vazhdojnë ndërtimin e objekteve me tejkalim të lejes, t’i përfundojnë ndërtimet dhe të pajisen me leje plotësuese, duke mos respektuar lejet ndërtimore, për të cilin tejkalim ka qenë në njohuri edhe i akuzuari Krasniqi, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar këtë ndërtim.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarat Ferati dhe Dumani kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Prokuroria, katër të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë