Eksperti mjekësor thotë se gjendja e rëndë shëndetësore e paditësit ka ekzistuar edhe në ekspertizën e dhënë me shkrim

Raporton: Donjeta AJVAZI

Prishtinë- Në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Administrative, është dëgjuar eksperti mjekësor,  Dren Boshnjaku, i cili tha se gjendja e rëndë shëndetësore e paditësit E.K, ka ekzistuar edhe në ekspertizën e dhënë me shkrim më parë.

Në këtë rast, i cili është kthyer në rigjykim, paditësi E.K po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kthimit në rigjykim dhe rivendosje, në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i autorizuar i palës paditës, avokati Agron Kryeziu në fjalën e tij hyrëse deklaroi e Gjykata e Apelit pas kthimit të rastit në rivendosje, nuk e ka kontestuar bazën ligjore sa i përket të drejtës së paditësit për të gëzuar pensionin në fjalë.

“Pas pranimit të aktvendimit të Gjykatës së Apelit e cila këtë lëndë e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje e sipas kësaj gjykate, nuk është kontestuar baza ligjore sa i përket të drejtës të palës paditëse që ta gëzojë pensionin për persona paraplegjik dhe tetraplegjik të shkallës së parë, por ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje të konsultohet mjaftueshëm me ekspertë të lëmisë përkatëse, të cilët e kanë përpiluar ekspertizën me shkrim për palën paditëse dhe të konstatohet se tek paditësi E.K a ka ekzistuar kjo gjendje e konstatuar si në ekspertizë edhe në kohën kur është dhënë vlerësimi nga komisioni i MPMS-së në kohën kur i është njohur e drejta e pensionit të shkallës së dytë”, tha Kryeziu.

I pyetur nga gjyqtari Kreshnik Kaçiu nëse gjendja shëndetësore e paditësit e konstatuar në ekspertizën me shkrim ka ekzistuar edhe më herët, eksperti konstatoi se ka ekzistuar dhe qëndron plotësisht në atë që është shkruar në ekspertizë.

Më pas, përfaqësuesi i paditësit i propozoi gjykatës që me qëllim të përcaktimit të saktë të vlerës së pensioneve të papaguara, duke përfshirë edhe diferencën mes tyre, të caktojë ekspertizë financiare, më të cilën do të përcaktohen saktë detyrat e ekspertit.

I njëjti kërkoi nga gjykata që në lidhje me detyrat specifike të ekspertit financiar brenda afati prej 10 ditësh me parashtresë ta njoftojë gjykatën saktësisht lidhur me këto detyra, duke u bazuar edhe në udhëzimet e Gjykatës së Apelit.

Gjykatësi i rastit Kaçiu aprovoi propozimin për nxjerrjen  e provës me ekspertizë financiare dhe obligoi përfaqësuesin që në afat prej 10 ditësh nga dita e sotme të dorëzojë në gjykatë parashtresën e veçantë me të cilën do të saktësohen detyrat e ekspertit financiar .

I njëjti konstatoi se gjykata pas pranimit të kësaj parashtrese me aktvendim te veçantë do caktojë ekspertin financiar dhe pas pranimit të ekspertizës financiare palët do ftohen në mënyrë të rregullt në seancën e radhës.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore e Prishtinës me aktgjykim kishte vendosur të aprovojë si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit E.K dhe kishte anuluar vendimin e MPMS-së  të 17 gushtit 2019 dhe ka ndryshuar vendimin e të paditurës, me të cilin paditësit i është njohur e drejta në kompensim për personat paraplegjik dhe tetraplegjik të grupit të dytë.

Sipas vendimit të 17 gushtit 2019 të MPMS-së, paditësit i ishte refuzuar ankesa për kompensim për personat paraplegjik dhe tetraplegjik të grupit të parë, duke mbetur në fuqi vendimi i 8 dhjetorit 2017, me të cilin i ishte njohur e drejta për kompensim për personat paraplegjik dhe tetraplegjik të grupit të dytë.

E njëjta kishte vendosur që paditësit t’i njihet e drejta në kompensim për personat paraplegjik dhe tetraplegjik të grupit të parë në shumë prej 375 euro për muaj në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Në pikën e dytë të aktgjykimit, po ashtu paditësit i njihet edhe e drejta e kompensimit në mes grupit të parë dhe të dytë për personat paraplegjik dhe tetraplegjik nga 1 maj 2017 deri më 1 tetor 2020 në shumën prej 225 euro në muaj në shumë të përgjithshme prej 6 mijë e 750 euro.

Kundër këtij aktgjykimi, MPMS-ja ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkesëpadinë e paditësit si dhe të mbetet në fuqi vendimi i të paditurës.

Një ankesë të tillë, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar si të bazuar, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë për t’i mënjanuar shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, të cilat e pengojnë vlerësimin e ligjshmërisë së aktgjykimit të goditur.

Përndryshe, sipas padisë së ushtruar në nëntor të vitit 2018, pala paditëse E.K po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të MPMS-së, me të cilin i është refuzuar kërkesa për njohjen e pensionit për personat paraplegjik dhe tetraplegjik me arsyetimin se i njëjti nuk është i drejtë pasi që është dashur të miratohet kërkesa për shkallë të parë.  /BetimpërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë