Eksperti mjekësor deklaron se paditësja është në gjendje të rëndë shëndetësore

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, eksperti mjekësor Dr.Ibrahim Lepaja deklaroi se paditësja Sh.H është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në këtë rast, paditësja Sh.H po kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) njohjen e të drejtës në pension të paaftësisë së përhershme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në bazë të ekzaminimit të pacientes, kemi konstatuar se e njëjta ka zgjerim të zemrës me humbje të funksionit pompues të zemrës”, deklaroi eksperti Lepaja.

Paraprakisht, në seancën e sotme, përfaqësuesja e paditëses, avokatja Sabrije Jashari, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë së dorëzuar në gjykatë dhe se e mbështet në tërësi ekspertizën e pranuar nga ekspertët mjekësorë.

“E mbështesim në tërësi ekspertizën e cila është punuar në mënyrë profesionale nga ekspertët mjekësorë, ku është konstatuar se paaftësia është e përhershme”, tha  Jashari.

Tutje, avokatja Jashari i propozoi gjykatës që në lidhje me kompensimin sa i përket lartësisë së pensionit dhe ndryshimit të tij në periudha kohore, të përpilohet ekspertizë financiare.

Më pas, ky propozim u aprovua nga gjykatësja Vjollca Limani, e cila deklaroi se seanca e radhës do të caktohet pas marrjes së kësaj ekspertize.

Ndryshe, në seancën e sotme nuk prezantoi pala e paditur, e cila sipas gjykatëses Limani, është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Përmes padisë së ushtruar më 13 qershor 2019, Sh.H. ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative anulimin e vendimit të MPMS-së, me të cilin i është refuzuar njohja e të drejtës në pension të paaftësisë së përhershme.

Në vendim thuhet se komisioni mjekësor me ekspertë të lëmive përkatëse, në mënyrë të gjithanshme ka shqyrtuar shkresat e lëndës, pretendimet ankimore, dokumentacionet mjekësore dhe vlerësimin e komisionit mjekësor dhe ka konstatuar se nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme për të qenë shfrytëzues i pensionit me paaftësi të përhershme.

Paditësja pretendon se padrejtësisht i është ndërprerë pensioni invalidor edhe pse fillimisht i është dhënë, e të cilin e ka gëzuar për afro 15 muaj. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë