Eksperti: MASHT nuk është e dëmtuar nga memorandumi i mirëkuptimit, prokurori fajëson avokatët për presion

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Deklarata e ekspertit financiar, Dibran Jashari  lidhur me atë se të dëmtuar janë vetëm operatorët ekonomik e jo edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) , nxiti reagime tek prokurori special, Faik Halili.
Sipas Halilit pyetjet e njëjta dhe presioni i vazhdueshëm nga ana e mbrojtjes po bëhet shkas i  ndryshimit të deklaratës së ekspertit, ku i njëjti sipas tij më herët kishte deklaruar ndryshe.

Në pyetjen e avokatit, Hamdi Podvorica, mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Dakaj, eksperti i ftuar për të dëshmuar deklaroi se në rrethanat që i është dhënë tenderi “Grafo-Lonit” është bërë shkelje, pasi e njëjta në raport me të tjerët kishte qenë e privilegjuar.

Sipas ekspertit, autoriteti kontraktues në këtë rast  – MASHT  – kishte lidhur kontratë me “Grafo-Lonin” pesë ditë para se të jepet konfirmimi përmes raportit të ekspertizës, gjë që sipas tij nuk duhet të ndodhë.

Ai po ashtu tha se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e kishte pezulluar këtë aktivitet të tenderimit dhe e ka udhëzuar MASHT-in që ta fillojë procedurën për ritenderim.

Eksperti financiar shtoi se në bazë të shkresave që i ka poseduar ka dalë që “Grafo-Loni”, ka qenë me çmimin më të favorshëm në raport me operatorët tjerë.

Avokati Ramë Gashi, mbrojtësi i Fehmi Zylfiut u interesua nëse kishte poseduar kontratën e punës të klientit të tij gjatë punimit të raportit të ekspertizës, pasi sipas pretendimeve të mbrojtjes i njëjti në kohën e ngritjes së aktakuzës nuk kishte qenë në marrëdhënie pune si zyrtar për pagesa. Lidhur me këtë Jashari deklaroi se në shkresat për punimin e ekspertizës nuk e kishte pasur këtë kontratë që të konsultohej.

“Gjatë punimit të raportit të ekspertizës të gjithë dokumentacionin e kam siguruar nga prokuroria, ndërsa në Administratën Tatimore të Kosovës kam shkuar vetëm për të marrë të dhëna për kompaninë “Grafo-Loni”, ku sipas informacionit të marrë nga ATK-ja këto të dhëna nuk i kishte dorëzuar fare e njëjtë”, tha Jashari.

Jashari tha se “Grafo-Loni” kishin fituar këtë tender 37% neto, shumë e cila sipas tij është enorme, por i njëjti theksoi se këto para kanë qenë të destinuara për këto kërkesa me vendim të vet MASHT-it.

Për të dëshmuar për këtë rast ishte edhe eksperti shqyrtues i OSHP-së, Visar Bibaj, i cili tha se këtë tender e kishte anuluar pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga ankuesi “Asingo Group”. Bibaj theksoi se gjatë shqyrtimit të ankesës kishte vërejtur dy shkelje. Shkeljet sipas tij kishin të bënin me gjuhësinë e dosjes së tenderit, ku nuk e kanë respektuar përpilimin e dosjes në tre gjuhë në gjuhën shqipe, serbe dhe  angleze, çështje kjo e rregulluar me Ligjin për Prokurimin Publik, i cili kishte qenë i aplikueshëm në atë kohë. Dosja e tenderit sipas tij nuk kishte qenë në gjuhën angleze siç e parasheh ligji.

Arsyeja tjetër për anulim sipas Bibaj, kishte qenë mospërgjigjia në kërkesat e “Asingo Group” nga ana e MASHT për tërheqjen e dosjes së tenderit.

“Kjo kompani konsiderohet si e dëmtuar, pasi e ka pasur të pamundur të tenderojë  në këtë projekt si pasojë e mosdorëzimit të dosjes së tenderit me kohë”, tha Bibaj.

Ndërsa lidhur me ritenderimin, i njëjti theksoi se nuk ishte njoftuar fare.

Seanca do të vazhdojë të nesërmen, duke filluar në orën 13:15.

Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Dakaj, sekretarë i përgjithshëm i MASHT-it për kryerjen e veprës penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkë kryerje me Milot Vokshin, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sipas Prokurorisë, ata kanë tejkaluar kompetencat ku më 12 dhjetor 2014 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme lidhin marrëveshje të mirëkuptimit mes institucionit ku punojnë, përkatësisht mes MASHT-IT dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MASHT-it, kontratë e lidhur më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe kompania “Grafo-Loni”, për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë është dëmtuar edhe Buxheti i Kosovës.

Të njëjtit, duke kufizuar qarkullimin e shërbimeve, kanë ngushtuar konkurrencën duke i vënë kështu subjektet tjera biznesore “XHAD”; “KGT”, “Printing press”, “NORD”, “Blendi” dhe “Prograf” në pozita të pabarabarta, duke favorizuar kështu “Grafo-Lonin” kanë kryer veprën penale “cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike”.

PSRK-ja kishte përfshirë edhe tre zyrtarë tjetër për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Xhemajl Buzukun, zyrtarë i prokurimit, Fehmi Zylfiu, zyrtar financiar në MASHT dhe Bukurije Borovci, zyrtare certifikuese, ku në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Lonin”.

Këto pagesa sipas PSKR-së janë lidhur për furnizimin me libra dhe broshura  për MASHT-in, duke u bazuar në marrëveshjen e jashtëligjshme  të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese e kështu duke i mundësuar kësaj kompanie përfitim të jashtëligjshëm.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë