Eksperti: Ish-drejtori në Kllokot nuk i arsyetoi mbi 10 mijë euro të taksave komunale

64219450_403726423822733_2145765695441338368_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Korrik 11, 2019

Gjilan – Komuna e Kllokotit nuk ka arsyetuar mbi 10 mijë euro të të hollave që janë mbledhur nga inkasimet e pagesave të qytetarëve për shërbimet komunale.

Një konstatim të tillë, e ka dhënë eksperti financiar Riza Blakaj, i cili në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, është ftuar për ta elaboruar ekspertizën e tij financiare, në rastin ku i akuzuar për keqpërdorim detyre është ish-drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikola Nojkiq.

Ai akuzohet se nga gushti 2015, e deri në maj 2016, pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviq, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Në aktakuzë thuhet se shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumën prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Arben Kadriu, se sa të holla janë dorëzuar dhe sa ka pranuar i akuzuari nga inkasimet që janë bërë, eksperti është përgjigjur duke thënë se vlera e paarsyetuar e të hollave është 10,390.50 euro.

Ai ka deklaruar se në fazën e pestë të ekspertizës, pasuesi i tretë nga lartë, është theksuar periudha e pranim-dorëzimit të të hollave nga ana e të akuzuarit, prej muajit gusht 2015, ndërkohë sipas tij, që në faqen nëntë, pasuesi i parë theksohet se data e fundit duhet të jete muaji mars 2017.

“Pra, periudha për vërtetimin e gjendjes është sipas dokumenteve të pranim-dorëzimit të parave në të gatshme, drejtpërdrejt nga inkasimi apo inkasantëve tjerë. Shiqone faqen tetë të ekspertizës, ku ndër të tjera theksohet se edhe me 23 mars 2017 është nënshkruar raporti i pranim-dorëzimit, që do të thotë se është pas vitit 2016”, ka thënë eksperti Blakaj.

Ai ka thënë se prej faqes shtatë të ekspertizës, deri në faqen nëntë, janë theksuar të gjitha dokumentet mbështetëse për vërtetimin e gjendjes.

“Unë nuk kam obligim me bërë barazim të gjendjes se nga i kanë mbledh inkasatët të hollat, kjo për faktin se raportet e elaboruara nga përgjegjësit përkatës të komunës, të njëjtit kanë qenë të obliguar ta bëjnë barazimin. I akuzuari ka mund të jap sqarime, por baza e ekspertizës është nënshkrimi i tij në dokumentet përkatëse të komunës. Arsyet për pranimin apo mos pranimin e shumave nuk është çështje e imja”, ka thënë eksperti financiar Blakaj.

Ai ka thënë se konstatimin e tij e ka theksuar sipas raportit të Bislim Trenës, inkasant në Komunën e Kllokotit, ku ka rezultuar se i akuzuari e ka pranuar shumën prej 1,000 euro, ndërsa sipas ekspertit, nënshkrimi i të akuzuarit në raport është vendos më 22 dhjetor 2017, që sipas tij, do të thotë, më vonë janë pranuar para.

Pas deklaratës së ekspertit financiar Blakaj, mbrojtësi i të akuzuarit Nojkiq, avokati Ymeri, i ka propozuar gjykatës që të bëhet një ekspertizë e re financiare, përmes të cilës do të konstatohet që gjatë periudhës kohore që përfshihet në aktakuzë, gusht 2015 – maj 2016, dëshmitarët Zhivorad Vesiq dhe Bislim Trena, të vërtetohet sa mjete kanë inkasuar në mënyrë që sipas tij, të krahasohen raportet që i kanë imponuar të akuzuarit për të nënshkruar, sepse siç ka thënë avokati, sipas një raporti mbi pranimin e paragonëve të 8 shkurtit 2018, vërtetohet se mjetet kanë qenë shumë më pas, sesa në raport.

“Pastaj, propozoj që të shiqohet një raport nga një agjenci turistike “Rina travel”, përmes së cilës i akuzuari në dy raste ka siguruar biletat për kryetarin e komunës dhe zyrtarë tjerë dhe pagesën e ka bërë nga të hollat e inkasuara nga inkasantët”, ka thënë avokati Huruglica.

Në lidhje me këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, ka njoftuar se vendimin gjykata do ta marrë në seancën e ardhshme.

Seanca tjetër është caktuar të mbahet më 18 shtator 2019, në ora 9:00, ku palët prezentë janë njoftuar gojarisht për mbajtjen e saj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të përpiluar më 22 qershor 2018, Nikola Nojkiq akuzohet se nga gushti 2015 e deri maj 2016, në cilësinë e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në atë mënyrë që pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviq, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Në këtë mënyrë, prokuroria pretendon se i akuzuari ka përfituar për vete, ndërsa Komunës së Kllokotit i ka shkaktuar dëm në shumën e lartcekur. /BetimipërDrejtësi