Eksperti i gjeodezisë dëshmon për shkeljet e lejes ndërtimore, gjatë shikimit të vendit të ngjarjes

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Eksperti i gjeodezisë,  Mexhit Krasniqi, ka dëshmuar sot në rastin ndaj pronarit të objektit banesor “Gradina ” në Suharekë, Muharrem Elshani.

Në këtë rast janë të akuzuar edhe drejtori i urbanizmit në Komunën e Suharekës, Kurtesh Fondaj dhe tre inspektorë të ndërtimit në këtë komunë, Hafir Maliqaj, Berat Kabashi dhe Raif Fetiu

Gjeodeti, Mexhit Krasniqi, të premten, me rastin e shikimit në vendin e ngjarjes, ka dëshmuar për të gjeturat nga inspektimi i këtij objekti, në vitin 2015 dhe për gjendjen momentale.

Një kërkesë e tillë, për shikimin e vendit të ngjarjes, është bërë në seancën e kaluar nga  mbrojtësi i të akuzuarit, Muharrem Elshani, avokati Hajrip Krasniqi.

Mexhit Krasniqi, më tej ka shtuar se gjatë inspektimit të këtij objekti, ka vërejtur se një hapësirë prej 12.5 ari i është marrë stadiumit ndihmës të “KF Ballkani” nga Suhareka.

Eksperti, poashtu, ka thënë se objekti ka lëvizur 50 metra nga plani i legalizuar për ndërtim, në drejtim të stadiumit ndihmës.

Më tej gjeodeti ka thënë se tani gjendja në teren është ndryshe sepse pjesa e zaptuar e fushës i është kthyer klubit.

Pas përfundimit të këtij shikimi në vendin e ngjarjes, kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka vendosur që seanca e radhës të vazhdojë me 1 shtator 2016, në ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, pretendon se Muharrem Elshani, duke qenë drejtor i “KF Ballkani”, ka përvetësuar një pjesë të stadiumit ndihmës, për nevoja afariste të tij.

Ndërsa, drejtorin e urbanizmit dhe inspektorët e ndërtimit i akuzon se nuk kanë parandaluar një vepër të tillë nga Muharrem Elshani dhe nuk kanë vepruar në mbrojtje të pronës shoqërore të komunës në fjalë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë