Eksperti i elektronikës ftohet të japë sqarime në rastin ku paditësja po kërkon mbi 15 mijë euro

Raporton: Premton SADIKU

Prishtinë  Është aprovuar nga ana e gjyqtarit Faton Bajrami propozimi i përfaqësuesit të paditëses “Lido” sh.p.k., avokatit Sabri Kryeziu, i bërë në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, që të ftohet në seancën e radhës eksperti Gazmend Pula, i cili e ka përpiluar ekspertizën e elektronikës, për shkak se ai pati vërejtje në të.

Në këtë rast, paditësja “Lido” sh.p.k, ., e ka paditur Kompaninë e Sigurimeve “Sigma” për kompensimin e dëmit, në vlerë prej 15 mijë e 785 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përfaqësuesi i të paditurës, Kompania e Sigurimeve “Sigma”, avokati Dardan Morina deklaroi se mbetet pranë përgjigjes në padi dhe nuk pati vërejtje në ekspertizën e elektronikës.

Seanca e radhës në këtë rast, do të caktohet pasi që eksperti të mund të prezantojë në seancë për shkak se për momentin ka probleme shëndetësore.

Ndryshe, sipas padisë së ngritur në dhjetor 2019, “Lido” sh.p.k., e ka paditur Kompaninë e Sigurimeve “Sigma” për kompensimin e dëmit, në vlerë prej 15 mijë e 785 euro, pasi në gusht të 2019-ës, para selisë së paditëses që është afër rrugës magjistrale Lipjan – Shtime është shkaktuar aksident i komunikacionit.

Siç thuhet në padi, nga ky aksident i komunikacionit njëra veturë e humbet kontrollin dhe e godet trafon elektrike, të cilën e dëmton tërësisht dhe në këtë mënyrë krijohet lidhja e shkurtë e rrjetit elektrik nga trafot në pompat për pastrimin e ujit të pishinës, të cilat digjen dhe kjo i shkakton paditëses dëme të mëdha materiale.

Sipas padisë, me qëllim të mosshkaktimit të shpenzimeve procedurale paditësja i drejtohet të paditurës për kompensimin e dëmit në procedurë jashtëgjyqësore por paditësja vlerëson se dëmi i vlerësuar nuk është në ekuivalencë reale me dëmin që i është shkaktuar paditëses, që është disa herë më i madh sesa oferta për kompensim.  /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë