Eksperti financiar thotë se kompania për bartjen e automjeteve ka më pak borxh sesa kërkon me padi Komuna e Pejës

peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Prill 15, 2019

Pejë – Komuna e Pejës në mars të vitit 2016, e kishte paditur kompaninë N.P.SH “Automekanik Citoren”, nga e cila kishte kërkuar pagesën e borxhit.

Në padi thuhet se pala paditëse dhe ajo e paditur, kishin lidhur kontratë që për secilën bartje të automjeteve pas aksidenteve në trafik, kjo kompani të paguajë shumën prej 5 eurosh për komunën, por që një gjë e tillë, sipas padisë, nuk kishte ndodhur.

Për këtë arsye, komuna përmes padisë pretendon se borxhi ndaj saj ka arritur në shumë prej 12.800 euro.

Lidhur me këtë rast, të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca gjyqësore, në të cilën e ka elaboruar ekspertizën e tij, eksperti financiar Ukë Sadiku.

Ai ka thënë se pala e paditur ia ka borxh Komunës së Pejës, shumën prej 8.265 euro, dhe jo shumën prej 12.800 euro, siç potencohet në padi.

“Pas ekzaminimit të provës, procesverbaleve – dëshmive për tërheqjen e automjeteve, e që ishin të nënshkruara nga palët kontraktuese, ka rezultuar se borxhi i papaguar është shuma 8.265 euro, e jo shuma prej 12.800 e theksuar në padi”, ka thënë eksperti Sadiku.

E autorizuara paditëses, avokatja Drita Sopi-Gashi, nuk e ka kundërshtuar ekspertizën dhe as sqarimet e ekspertit financiar.

Në anën tjetër, pala e paditur, përkatësisht pronari i kompanisë, Enver Daci, ka theksuar se nuk ka vërejtje rreth ekspertizës financiare dhe se e mbështet atë.

Gjykatësi i çështjes, Veton Ademaj, seancën e radhës e ka caktuar më 8 maj 2019, në ora 9:00.

Sipas padisë së ushtruar më 30 mars 2016, paditësja Komuna e Pejës, kërkon nga e paditura Kompania N.P.SH “Automekanik Citroen”, t’ia paguajë pjesën e mbetur borxh në shumë prej 12.800 euro.

Në padi thuhet se e paditura me paditësen kanë lidhur kontratë  më 6 nëntor 2012, ku e paditura ishte e obliguar t’i kryejë shërbimet e transportit për tërheqjen–bartjen e automjeteve me siç njihet me merimangë nga vendi ku është shkaktuar aksidenti.

Sipas padisë, kompania N.P.SH “Automekanik Citroen”, sipas kontratës është detyruar që për secilën bartje të automjeteve të paguajë shumën prej 5 eurove tek paditësja, me ç’rast ajo i ka bartur automjetet deri tek vendi i destinuar në mënyrë të kundërligjshme dhe taksën prej 5 eurove nuk ia ka paguar Komunës së Pejës, e cila shumë ka arritur lartësinë prej 12.800 euro.

Komuna e Pejës me anë të padisë, ka kërkuar nga e paditura që t’ia paguajë borxhin që rrjedh nga kontrata e lidhur me të, e cila e arrin shumën prej 12.800 eurove, dhe me kamatë në lartësi prej 8%. /Betimipërdrejtësi