Eksperti financiar thotë se i akuzuari për korrupsion ka shkelur rregulloren e Komunës së Dragashit

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Eksperti financiar Agim Sheqiri, tha se i akuzuari Avni Nebiu, nuk ka bërë kërkesë sipas modulit të blerjes sipas rregullores 01/2013.

Këtë deklarim, eksperti Sheqiri, e ka dhënë në seancën e së hënës, gjatë  vazhdimit të shqyrtimi gjyqësor ndaj zyrtarit të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, i cili akuzohet për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Sheqiri deklaroi se në ekspertizën shtesë të cilën e ka punuar është e mbështetur nga dokumentacioni shtesë që kishte pranuar nga prokurori Sefa.

Sipas tij, në ekspertizën shtesë në urdhër obligimet për pagesë të vitit 2015,2016 dhe 2017 ka qenë nënshkrimi i të akuzuarit Avni Nebiu me gjithësej 867 euro pagesë.

Por sipas ekspertit, kjo pagesë është bërë përmes modulit të aprovimeve, formë kjo e cila nuk i nënshtrohet prokurorimit publik.

I pyetur  nga prokurori Sefa se për pagesat për servisim të automjeteve përmes cilit modul është dashur të bëhej, eksperti tha se ligji për prokurorim publik e bënë përmes modulit të blerjes e cila parasheh 7 deri 8 procedura që aplikon autoriteti kontraktues në rast të kryerjes se këtyre shërbimeve.

Sipas tij, përmes këtij moduli nuk do të ishte e mundur të bëhej autorizimi dhe certifikimi i pagesave.

Në pyetjen e avokatit Fatmir Jelliqi, se cilit ligj në fjalë i është referuar lidhur me kompetencat dhe përgjegjësit e zyrtarëve financiar, eksperti ka thënë se sipas ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive 03/L-048, zyrtari financiar konsiderohet zyrtar kryesor administrativ i cili e mban edhe rolin e zyrtarit autorizues.

Me tutje, eksperti ka thënë se në shpenzimet e figuruara në cilësi të zyrtarit autorizues figuron emri i Avni Nebiut dhe se të gjitha këto shpenzime nuk kanë kaluar nga përmes zyrës së prokurorimit.

I pyetur nga i akuzuari Nebiu, se në ekspertizën e tij a ka përfshirë komplet periudhën 3 vjeçare kontraktuese  me “LML” dhe periudhën prej 6 muaj të vitit 2018, eksperti ka thënë se është përfshirë periudha prej 2015,2016 dhe 2017, ndërsa sa i përket periudhës 2018 nuk ka qenë i autorizuar.

Në pyetjen tjetër të akuzuarit, se si  mundet të kryhet servisimi i automjeteve me modul të aprovimit a duhet me pas kërkesë, ai ka thënë se këtë mund ta bëjë vetëm me kërkesë të aprovuar nga menaxhmenti- drejtori e jo kërkesë për blerje.

Më tutje, eksperti ka shtuar se ka hasur në faturë që nuk ka kërkesë të bashkangjitur, dhe se këto kërkesa që janë bashkangjitur është dashur të kalonin përmes zyrës së prokurorimit gjë që me këto nuk ka ndodhur.

I akuzuari Nebiu, përsëri e pyet se ku shkon kërkesa e blerjes, ai ka thënë se kërkesa e blerjes shkon në zyrën e prokurorimit.

Pas kësaj përgjigje të ekspertit, i akuzuari Nebiu ka thënë se “nëse jeni marrë vesh me prokurorin kryeni këtë punë”.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 10 qershor 2022.

Ndryshe, në këtë rast, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikit të interesit akuzohej edhe Ahmet Bahtijari si dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare edhe Selajdin Vehbi, mirëpo të njëjtën e kishin pranuar fajësinë dhe janë dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim me kusht.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiut dhe Selajdin Vehbi, për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ahmet Bahtijari, përveç për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ngarkohej edhe për “Konflikt të interest”.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë