Eksperti financiar: Fehmi Zylfiu në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë pjesë e aktakuzës

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë- Në ekspertizën e punuar nga eksperti financiar, Riza Blakaj, i njëjti kishte konstatuar se i pandehuri Fehmi Zylfiu, në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë pjesë e aktakuzës dhe duhet të lirohet nga përgjegjësia penale, pasi nuk ka nënshkruar asnjë urdhërpagesë lidhur me këtë çështje për të cilën akuzohet.

“Roli i Zylfiut sipas autorizimeve ka qenë vetëm lidhur me zotimin e mjeteve e jo edhe për urdhërpagesa”, tha para gjykatës eksperti Blakaj.

Konstatimi i tij sipas prokurorit special, Faik Halili nuk përkon me lëmin e tij, pasi Blakaj nuk është ekspert ligjor për ta interpretuar ligjin dhe për të konstatuar përgjegjësinë penale të të pandehurit Zylfiu, pasi është vetëm ekspert financiar.

Lidhur me këtë kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj tha se për të vërtetuar përgjegjësin penale është vetëm gjykata e jo dikush tjetër, e kjo gjithmonë pas shqyrtimit dhe vërtetimit të të gjitha fakteve dhe provave.

Në pyetjen nga avokat Hamdi Podvorica, mbrojtësi i të akuzuarit Xhevat Dakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), eksperti Dakaj deklaroi se marrëveshja e mirëkuptimit e lidhur në mes të MASHT dhe Gjykatës Kushtetuese nuk është e kundërligjshme.

Ai pranoi se në ekspertizë kishte theksuar, se Dakaj kishte punuar vetëm në kuadër të përgjegjësive të tij e atë lidhur me  kompetencat për menaxhimin e financave.

Blakaj shtoi se në  praktikë ekzistojnë të tilla marrëveshje, dhe se në asnjë formë Memorandumi i Mirëkuptimit mes MASHT dhe Gjykatës Kushtetuese nuk i ka disfavorizuar operatorët tjerë ekonomik.

“Unë në njërën nga tre ekspertizat kam theksuar se “Grafo-Loni” nuk ka pasur borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), e unë për këtë iu kam referuar shkresave të lëndës”, tha Blakaj”.

Në pyetjen e parashtruar nga avokati Artan Qerkini, mbrojtësi  zyrtarit të prokurimit Xhemajl Buzuku, Blakaj theksoi se në ekspertizën e punuar nuk e kishte përfshirë subjektin “Assigno Group”, pasi e njëjtë nuk kishte ofertuar dhe se sipas tij lidhur me ankesën e tij ka vendosur me një vendim tashmë i prerë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Për fund eksperti në përgjigjen e dhënë për avokatin, Teki Bokshi,  mbrojtës i zyrtarit të Gjykatës Kushtetuese shtoi se shuma e theksuar në aktakuzë si shumë e fituar nga operatori ekonomik “Grafo-Loni” nuk mund të konsiderohet si fitim, por si marzhë, e kjo sipas tij ka dallim.

Seanca e ardhshme për këtë proces gjyqësor ku përfshihen zyrtarë të MASHT-it, Gjykatës Kushtetuese dhe të OSHP-së pritet të mbahet më 19 shtator, në orën 13:00.

Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Dakaj, sekretarë i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për kryerjen e veprës penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkë kryerje me Milot Vokshin, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sipas prokurorisë ata i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ku më 12 dhjetor 2014 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme lidhin marrëveshje të mirëkuptimit mes institucioneve ku punojnë, përkatësisht mes MASHT-IT dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MASHT-it, kontratë e lidhur më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe kompania “Grafo-Loni”, për shtypjen e librave dhe materialeve tjera  për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë është dëmtuar edhe Buxheti i Shtetit të Kosovës.

Të njëjtët duke kufizuar qarkullimin e shërbimeve, kanë ngushtuar konkurrencën duke i vënë kështu subjektet tjera biznesore “XHAD”;; “KGT”, “Printing press”, “NORD”, “Blendi” dhe “Prograf” në pozita të pabarabarta e duke favorizuar kështu “Grafo-Lonin” kanë kryer veprën penale “cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike”.

PSRK-ja kishte përfshirë edhe tre zyrtarë tjetër për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, Xhemajl Buzukun, zyrtarë i prokurimit, Fehmi Zylfiu, zyrtar financiar në MASHT dhe Bukurije Borovci, zyrtare certifikuese, ku në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Lonin”.

Këto pagesa sipas PSKR-së janë lidhur për furnizimin me libra dhe broshura  për MASHT-in, duke u bazuar në marrëveshjen e jashtëligjshme  të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese e kështu duke i mundësuar kësaj kompanie përfitim të jashtëligjshëm.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë