Ekspertët tregojnë për gjetjet e tyre në rastin e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vrasjen e rëndë në Pejë

6 nentor 2019 Haliti foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Nëntor 6, 2019

 


Pejë – Në seancën e rigjykimit ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë, Kreshnik Haliti, që është mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, janë dëgjuar ekspertët, të cilët kanë bërë ekspertizat e tyre lidhur me këtë rast.

Kreshnik Haliti, akuzohet se në mars të vitit 2017, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur në mes vete, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Gjatë elaborimit të ekspertizës së saj, ekspertja e grafologjisë Leonora Shillova, tha se kishte bërë ekzaminimin e shkrimeve në letrën e gjetur tek i ndjeri dhe shkrimeve të fletores të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Haliti.

Sipas ekspertes, rezulton se shkrimet në fletoren e të pandehurit me letrën e gjetur tek i ndjeri Zeka ishin identike.

Mirëpo, avokati Besnik Berisha gjatë gjykimit e ka kontestuar pjesën e nënshkrimit të gjetur në letrën e të ndjerit me nënshkrimin e gjetur në bllokun e të pandehurit, pasi sipas tij, dallojnë nënshkrimet.

”Me çka është bërë krahasimi i nënshkrimit në faqen e letrës “Fauna”, me nënshkrimin e fletores, sepse në sytë e mi dallojnë nënshkrimet”, pyeti avokati Berisha.

Lidhur me këtë, ekspertja Shillova, tha se në bazë të ekspertimit që kishte bërë kishte ardhur në përfundim se nënshkrimi në letër dhe fletore janë shkruar nga i njëjti person.

Përsëri avokati Berisha kishte vërejtje lidhur me nënshkrimin, pasi sipas tij, nënshkrimi në letër nis me shkronjën “H”, kurse në fletore fillon me një shkronjën “K”.

Në këtë gjykim është dëgjuar edhe ekspertja e gjurmëve të gishtave, dëshmitarja Mihirje Hajdari, e cila sqaroi për trupin gjykues se pasi kishte ekzaminuar armën e tipit “Pjetro Beretta”, nuk kishte zbuluar asnjë gjurmë të shenjave të gishtërinjve.

Ndërsa, eksperti  i grimcave të barutit Milazim Tahirukaj, ka thënë se pas ekzaminimit të dorës së të pandehurit nuk kishte gjetur mbetje të qitjes më armë zjarri.

Ekspertja e ADN-së, Hidajete Hyseni, tha se në ekspertim për ADN kishin pasur gjithsej 21 dëshmi.

Ajo theksoi se nga pështyma e të pandehurit kishin fituar profiling e AND-së së tij, mirëpo ky profil nuk ishte përputhur në gjetjet tek vetura, ndërsa tek arma “Beretta”, ajo shtoi se nuk kishin fituar sasi të mjaftuar të AND-së për të bërë analiza të mjaftueshme.

Në këtë seancë, gjithashtu është dëgjuar edhe dëshmitari Fadil Vuqetaj, i cili  ka thënë se tani i ndjeri Mentor Zeka, në ditën kritike e kishte thirrur atë në emër për të kërkuar ndihmë nga ai.

Ai ka thënë se kishte dal nga një dyqan, kur në ato momente kishte dëgjuar disa krisma.

“Kur jam kthy, kam mendu se po më thirr dikush me një zë të shtjerrët. Kam këqyr andej mu ka dok se është Mentori. Unë e kam parë duke u rrëzuar. Mentori më ka thirr në emër. Ai më ka thirr dy herë dhe kur e kam kthy kryet e kam parë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, tërë këtë ngjarje e kishte parë brenda disa sekondave, ndërsa mohoi të ketë parë ndonjë person duke gjuajtur në drejtim të tani të ndjerit.

Duke iu përgjigjur mbrojtësit të të pandehurit Kreshnik Haliti, avokatit Besnik Berisha, dëshmitari Vuqetaj ka thënë se me tani të ndjerin kishin qenë fqinj, ndërsa ka shtuar se të akuzuarin me të ndjerin nuk e kishte parë asnjëherë.

Në këtë seancë, ishte ftuar edhe eksperti balistik, Qëndrim Topalli, mirëpo avokati Besnik Berisha  tërhoqi propozimin për dëgjimin e tij, pasi sipas tij, faktet që kanë të bëjnë me predhat dhe armën nuk i kontestonte, duke shtuar se ai kontestonte dashjen direkte dhe motivin për të cilin akuzohet i mbrojturi i tij.

Avokati Berisha, ndër të tjera nuk u pajtua me propozimin e prokurorit Ardian Hajdaraj, që deklaratat e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara, ndërsa shtoi se është e nevojshme të dëgjohen dëshmitarët e sidomos vëllai i të ndjerit Driton Zeka.

“E kundërshtoi që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve e në veçanti deklarata e dëshmitarit Driton Zekaj sepse është përdorur në aktgjykimin e kaluar si një nga shtyllat për të mbështetur indirekt motivin e ngjarjes së ditës kritike. Po ashtu në këtë dëshmi, gjykata ka mbështetur konstatimin  e ekzistimit të një borxhi i cili në deklaratat tjera ka rezultu jo konsistent”, tha Berisha.

Seanca e radhës është caktuar më 8 nëntor 2019, nga ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe si rrjedhojë, ekzistojnë kundërthënie me arsyet e paraqitura lidhur me faktet vendimtare.

“Gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se i akuzuari Kreshnik Haliti ishte përgatitur me parë për ta privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj. Ekzistojnë kontradikta mes dispozitivit të aktgjykimit lidhur me përgatitjen paraprake të akuzuarit për të privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj, kjo për faktin se nga raportet e telefonisë “Vala” dhe “Ipko” del e kundërta me dëshminë e dëshmitares Mirjeta Zekaj, si prova materiale se i ndjeri i ka bërë telefonatat e fundit dhe gjykata lidhur me këtë fakt vendimtar e që është i rëndësishëm për cilësimin e veprës penale si kualifikuese nuk jep konkludime të qarta dhe të drejta se i pandehuri ishte i përgatitur më parë për ta privuar nga jeta të ndjerin”, theksohet në vendimin e Apelit.

Tutje, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se sipas shkresave të lëndës dhe provave të nxjerra, rezulton se i akuzuari kishte marrë borxh nga i ndjeri shumën prej 2000 mijë euro, për të rregulluar marrëdhëniet pronësore lidhur me një truall, meqë një pjesë të shtëpisë e kishte ndërtuar në pronë shoqërore.

“Këto të holla, dy herë nga 400 euro i pandehuri ia kishte kthyer të ndjerit, ndërsa sipas deklaratës së bashkëshortes  të ndjerit, Mirjeta Zekaj, rezulton se i ndjeri Mentor Zekaj ia kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 85 mijë euro, ndërsa pas privimit nga jeta në letrën e shkruar rezulton të jetë një borxh prej 77 mijë euro, dhe gjykata  nuk jep arsye bindëse dhe argumentuese se cili ishte borxhi i vërtetë, apo shuma e të hollave prej 77 mijë euro, ishin për blerjen e tokës së konfiskuar e cila nga AKP-ja, duhet të blihej nga i akuzuari bashkë me Florijan Kelmendin, meqë i akuzuari nuk kishte të gjitha të hollat e gatshme për të blertë këtë tokë”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, gjykata e Apelit ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë t’i nxjerrë të gjitha provat, të dëgjojë dëshmitarët se a ka ekzistuar borxhi për shkak të cilit është privuar nga jeta i ndjeri Mentor Zekaj nga i akuzuari Kreshnik Haliti, për shkak të dobisë pasurore dhe me kujdes të analizohen video incizimet.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore  e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Mentor Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm. /Betimipërdrejtësi