Ekspertët konstatojnë se paditësja nuk i plotëson kushtet për njohje të pensionit për persona me aftësi të veçanta
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë- Në Departamentin për Çështje Administrative, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar konflikti administrativ në rastin ku paditësja E.K po kërkon anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ku ekspertët konstatuan se paditësja nuk i plotëson kushtet për njohje të pensionit për persona me aftësi të veçanta.
Në seancën e së mërkurës janë dëgjuar ekspertët Rushit Jashari dhe Flora Shunjaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Eksperti Jashari deklaroi se në bazë të shqyrtimit të dokumenteve mjekësore si dhe ekzaminimit objektiv të palës, pacientja vuan nga disa sëmundje që nga lindja pasi që ka dëmtim të trurit, paralizë e anës së djathtë të trupit si dhe ndryshime psiqike.
I njëjti deklaroi se në bazë të ligjit ekzistues për kompensim për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, paditësja nuk i plotëson kushtet për këtë skemë të vlerësimit, në bazë të ligjeve në fuqi për personat paraplegjik dhe tetraplegjik.
Deklarimin e tij e mbështeti edhe ekspertja Flora Shunjaku.
Pas kësaj, gjykatësja Luljeta Maxhuni administroi provat materiale dhe konstatoi se procedura e provave në këtë çështje ka përfunduar.
Përfaqësuesi i paditëses E.K, L.K i propozoi gjykatës që vendimi i të paditurës të anulohet dhe padia të aprovohet në tërësi si e bazuar.
“Unë si vëlla i paditëses me duhet të kujdesem tërë kohën për të dhe nga kjo konsideroj që paditësja hyn ne kategorinë e personave paralpegjik, pasi që gjithmonë i duhet kujdesi”, tha ai në fjalën përfundimtare.
Sipas padisë së parashtruar më 23 prill 2018, paditësja E.K po kërkon anulimin e vendimit të MPMS-së, duke e atakuar për shkak se në të nuk janë aplikuar drejtë dispozitat ligjore, e njëjta është nxjerrë nga organi jokompetent dhe nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike.
Kjo pasi që thuhet se paditësja që nga lindja është person i palëvizshëm- i paralizuar dhe është e bindur në të drejtën e saj legjitime duke bërë kërkesë për njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjik dhe tetraplegjik.
Ndryshe, MPMS-ja më 3 prill 2018 ka nxjerrë vendim me të cilin ka refuzuar ankesën e paditëses për njohjen e të drejtës në kompensim për personat paraplegjik dhe tetraplegjik me arsyetimin se pas ekzaminimit të dokumentacionit përkatës nga mjekët specialistë, është konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për këtë kompensim. /BetimipërDrejtësi