Ekspertët ftohen të japin sqarime në rastin ku paditësja po kërkon nga Telekomi 70 mijë euro për lëndimet në punë
Raporton: Valdita KELMENDI
Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka ftuar për të dhënë sqarime ekspertët e mjekësisë nga lëmia e traumatologjisë – Neuropsikiatrisë dhe ekpertët që kanë hartuar super-ekspertizën nga lëmia e lëndimeve gjatë punës, në rastin ku paditësja H.A, po kërkon nga Telekomi i Kosovës (TK) kompensimin e dëmit në vlerë prej 70 mijë euro.
Përfaqësuesi i paditëses H.A, avokati Januz Murati ka deklaruar se mbesin pranë padisë dhe pretendimeve të përfshira në ankesën e dorëzuar në Gjykatën e Apelit, sidomos sa i përket të metave me rastin e hartimit të super ekspertizës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbesim pranë padis dhe kërkesëpadisë, e sidomos mbetemi pranë ankesës të dorëzuar Gjykatës se Apelit në Prishtinë, kundër aktgjykimit Gjykatës Themelore ne Prishtinë Departamentit te Përgjithshëm, duke u bazuar ku janë thënë të gjitha të metat e aktgjykimit të shkallës e parë e sidomos aludoj në super-ekspertizën nga lëmia e punës, të cilët për fat të keq, vet kam qenë prezent e është bërë një punë “shkel e shko”, ku në ekspertizë kanë marrë pjesë vetëm dy, i treti as që e njoh, as që ka marrë pjesë, por raportin e ka nënshkruar ”, tha avokati Murati.
Po ashtu, Murati i ka propozuar gjykatës që në seancën e radhës të dëgjohet edhe paditësja H.A, në cilësinë e palës, e cila do ta shpjegojë më mirë rrjedhën se si ka ndodhur lëndimi në punë.
Ndërsa, i autorizuari i të paditurës Telekomi i Kosovës , Hajredin Islami ka deklaruara se qëndrojnë pranë përgjigjes në padi, deklarimeve të bëra në seancat e kaluara dhe në këtë seancë si dhe parashtresave të dorëzuara në këtë gjykatë.
Lidhur me këtë, Hajredini tha se sa i përket vendimit të Apelit, do të deklarohet në seancën e radhës.
Pas kësaj, gjykatësi Alajdin Tershnjaku ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit Murati, që në seancën radhës të administrohet super-ekspertiza nga lëmia e mjekësisë traumatologjisë-neuropsikiatrisë.
Gjykata ka marrë vendim që të ftohet në cilësinë e psikiatres Nazime Musliu, ndërsa nga super-ekspertiza nga lëmia e lëndimeve gjatë punës janë ftuar për t’u dëgjuar ekspertët Niazi Ibrahimi, Musli Bajraktari dhe Azem Kyqyku.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 maj 2016 e kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë dhe refuzoi si të pabazuar përtej shumave të gjykuara të paditëses H.A, duke e detyruar Postën dhe Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë për të gjitha llojet e dhimbjeve fizike shumën prej 1 mijë e 500 euro, për të gjitha llojet e frikës shumën prej 1 mijë e 500 euro, për zvogëlimin të aktivitetit jetësor, shumën prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa në emër të shëmtimit shumën prej 2 mijë e 500 euro.
Mirëpo, më 1 korrik 2020 Gjykata e Apelit i kishte aprovuar si të bazuara ankesat e përfaqësuesve të autorizuarës të paditëses H.A, dhe të paditurës PTK, ndërsa e kishte prishur këtë aktgjykim dhe kishte vendosur që lënda t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rivendosje.
Po ashtu, Apeli kishte kërkuar që në seancën e radhës të jetë prezente super-ekspertiza nga lëmia e lëndimeve në punë dhe të ftohen ekspertët e mjekësisë nga lëmia traumatologjisë dhe neuropsikiatrisë.
Ndryshe, sipas padisë të ushtruar 14 qershor 2006 , paditësja H.A, po kërkon nga e paditura PTK kompensimin e dëmit material dhe jomaterial për lëndimet në vendin e punës.
Në padi thuhet se paditësja H.A, ka qenë në një marrëdhënie pune të përhershme tek e paditura PTK në punës higjieniste, ku gjatë orarit të punës ka pasur lëndim të rëndë trupor, ku e njëjta është rrëzuar nga tavolina e cila nuk ka qenë e siguruar dhe në këtë rast, ka lënduar gjurin e këmbës së majtë.
Tutje në padi thuhet se edhe pse paditësja ishte lënduar në punë, e paditura PTK nuk ia ka lëshuar fletëlëndimin, me çka ka bërë cenim të rregullave të punës e sidomos është cenuar Ligji mbi fatkeqësitë në punë.
Lidhur më këtë, në padi thuhet se ende paditësja H.A, është duke u shëruar për shkak të lëndimeve të marra në punë.
Prandaj me anë të kësaj padie, paditësja H.A, po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e saj dhe që të obligohet e paditura PTK t’ia kompensojë dëmin jomaterial në vlerë prej 70 mijë euro.
Ndërsa, saj përket përgjigjes në padi të ushtuar më 29 dhjetor 2011, e paditura PTK ka thënë se padia dhe kërkesëpadia e paditëses për të paditurën është e pakuptimtë, nga e njëjta nuk mund të kuptohet se cili është objekti i kontestit.
Prandaj, me anë të kësaj përgjigje në padi, e paditura po kërkon nga gjykata që të hudhet si e parregullt padia dhe kërkesëpadia e paditëses, si e pabazuar dhe që të obligohet paditësja që t’i barti të gjitha shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi