Ekspertët e mjekësisë ftohen të japin sqarime në rastin ku paditësit po kërkojnë nga “Eurosig” kompensim dëmi për aksidentin e 2016-ës

Raporton: Shqiponjë GASHI

Prishtinë – Gjykatësja Donikë Dobruna ka aprovuar propozimi i përfaqësuesit të paditësve A.B dhe D.S, avokatit Arbër Istrefi që të ftohen ekspertët nga lëmia e ortopedisë-traumatologjisë dhe logopedisë për të dhënë sqarime në rastin ku paditësit po kërkojnë nga Kompania e Sigurimeve “Eurosig”, kompensim dëmi për lëndimet e shkaktuara nga aksidenti i 2016-ës.

Po ashtu, në seancën e së mërkurës, avokati Istrefi gjykatës i ka propozuar edhe nxjerrjen e provës përmes ekspertizës financiare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Detyrë e ekspertit ai tha se do të jetë përllogaritja e fitimit të munguar të paditëses A.B, duke filluar nga data e shkaktimit të fatkeqësisë si dhe zvogëlimin e aftësisë së përkohshme të specifikuar nga ana e ekspertit mjekësor vit pas viti në përqindje si në ekspertizë.

Ndërsa, për paaftësinë e përhershme ai tha se përllogaritja duhet të bëhet nga 28 nëntori 2016 e tutje, në shkallë prej 17% sa është fitimi i munguar për këtë përqindje në të ardhmen, derisa të ekzistojnë kushtet ligjore.

I njëjti, gjykatës ia ka dorëzuar edhe disa prova për të cilat tha se do të vërtetojnë se paditësja A.B, nuk ka të regjistruara kursime pensionale si dhe nuk është shfrytëzuese e ndonjë skeme sociale.

Propozimet e përfaqësuesit të paditësve, nuk janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i të paditurës “Eurosig”, Fatlum Shala.

Lidhur me propozimin për ekspertizë financiare, gjykatësja Dobruna tha se do të vendosë me aktvendim të veçantë jashtë seancës.

Fillimisht në seancën e së mërkurës, eksperti i neurologjisë Dr. Adnan Biqku ka dhënë sqarime lidhur me ekspertizën e tij, i cili tha se mbetet në tërësi pranë të njëjtës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të paditësve, avokatit Istrefi ai ka thënë se diagnoza “RPM”, është shkurtesë për retardim psiko-motor ose prapambetje psiko-motorike, e cila ka fillimin në fëmijërinë e hershme, ku sipas tij nënkupton ngecje në funksionet mendore dhe funksionet motorike të ekstremiteteve.

Po ashtu, ai tha se fatkeqësia e komunikacionit ka ndikuar në përkeqësimin e sulmeve epileptike, e po ashtu sipas tij, tani paditësit D.S si pasojë e kësaj fatkeqësie i është rritur për 35% shkalla e zvogëlimit të përgjithshëm të aktivitetit jetësor.

Sipas padisë së ushtruar më 23 shtator 2016, në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë më 28 maj 2016 është shkaktuar aksident komunikacioni, në të cilin lëndime të rënda trupore ka pësuar tani paditësja A.B. dhe i mituri D.S.

Në padi thuhet se fatkeqësia është shkaktuar kur ngasësi i automjetit të udhëtarëve “Audi”, i cili qarkullonte nga rruga “Haxhi Zeka”, në drejtim të qendrës së qytetit kur arrin në udhëkryq që lidhet më rrugën “Lidhja e Prizrenit”, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet në rrugë, e humb kontrollin dhe del jashtë rrugës dhe godet një kontejner me ç’rast nuk arrin të ndalet, por e godet një pjesë të dheut dhe në anën e majtë të rrugës dhe përfundon në një pronë private.

Bazuar në padi, si pasojë e këtyre goditjeve, lëndime të rënda trupore me pasoja të përjetshme pësojnë bashkudhëtarët, tani paditësit.

Në padi thuhet se ky automjet me të cilin është shkaktuar fatkeqësia ishte i siguruar te tani e paditura kompania e sigurimeve “Eurosig”.

Me anë të kësaj padie, ata po kërkojnë nga gjykata që të detyrohet e paditura që atyre t’ia kompensojë dëmin material dhe jomaterial në shumën prej 20 mijë euro dhe atë me kamatë ligjore prej 8% si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndryshe, sipas përgjigjes në padi të dhënë më 28 shkurt 2020, e paditura Kompania e Sigurimeve “Eurosig”, nuk e ka kontestuar bazën e kërkesëpadisë, mirëpo e ka kontestuar lartësinë e saj.

Sipas kësaj përgjigje në padi, e paditura paditëses A.B, i ka ofruar shumën prej 4 mijë e  549 euro, ndërsa për paditësin D.S, thuhet se nuk mund të deklarohen pasi që i njëjti ishte ftuar në ekzaminim nga e paditura, mirëpo i njëjti thuhet se nuk ishte paraqitur.

Mbi këtë bazë, e paditura i ka propozuar gjykatës që kërkesëpadinë e paditësve ta aprovojë pjesërisht duke i refuzuar shumat e kërkuara me padi mbi shumën e ofruar nga e paditura. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë