EKSKLUZIVE: Kërcënohet prokurori special Admir Shala, i refuzohet mbrojtja e afërt

Betim MUSLIU

Prishtinë, 8 shkurt 2016 – Prokurori i Shtetit, Admir Shala, ka zero rrezikshmëri sipas vlerësimit të Njësitit për Vlerësimin e Rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës. “Betimi për Drejtësi” raporton se ky vlerësim e ka lënë pa mbrojtje të afërt prokurorin special Admir Shala, që njihet si prokuror i gjeneratës së re, i cili ka ngritur aktakuza ndaj disa zyrtarëve të profilit të lartë të korrupsionit përfshi aktakuzat kundër deputetit Naser Osmani dhe shtatë të tjerëve, ish-Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, Kryetarit të OSHP-së Hysni Hoxha, Prokurores së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku, dhe së fundi është duke udhëhequr rastin e hetimeve ndaj Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota.

Në rastin e fundit të hetimeve ndaj Sokol Bashotës, komentues të shumtë kanë publikuar kërcënime në faqen e Degës së Klinës të Partisë Demokratike të Kosovës, në rrjetit social facebook.  Selamet kërcënuese ndaj prokurorit dhe “urdhërdhënësve” të tij janë të ashpra dhe banale. “Unë nuk e njo prokurorin e gjykatës. Por, 400 mije nanat ja q… ket selam ja dërgoj unë N.N.”, shkruan një komentues në facebook. Tjetri komentues pajtohet me këtë selam kërcënues, por ai hesapet fillimisht sugjeron të zgjidhen me urdhërdhënësin ndaj prokurorit. “Une prekurorit, gjithsesi. Po mas pari atij që i ka dhën urdhër prekurorit. Gjall e dekun”.

Kercenimet ndaj Admir Shales 08.02.2016

Burime të “Betimit për Drejtësi” kanë konfirmuar se është refuzuar mbrojtja e afërt për prokurorin special Admir Shala pasi nuk është vlerësuar rrezikshmëria ndaj tij. I kontaktuar, prokurori Shala, nuk ka pranuar të flasë për këtë refuzim, duke sugjeruar të kontaktohet zyra për informim. “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe prej Kryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili ende nuk është përgjigjur në pyetjet me shkrim.

Ndërkohë, në mesin e prokurorëve të Prokurorit të Shtetit, ka të atillë, që nuk merren fare me trajtimin e rasteve, por që të njëjtit gëzojnë këtë të drejtë që të kenë mbrojtjen e afërt.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, kanë nënshkruar veç e veç si institucione, marrëveshje të mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e sigurisë individuale të prokurorëve dhe gjykatësve në rastet e kërcënimeve ndaj tyre. Kjo marrëveshje nuk është zbatuar në rastin e kërcënimeve ndaj prokurorit Admir Shala. Ndryshe, veprimet e policisë, prokurorisë dhe gjykatës, ishin urgjente në rastin e kërcënimit ndaj djalit të Kryeministrit, Isa Mustafa, dhe Ministrit të Punës, Adnan Abrashi, të cilët kishin arrestuar, akuzuar dhe gjykuar brenda pak orësh, personin, i cili ngjashëm sikurse ndaj prokurorit Shala, kishte kërcënuar përmes publikimit të komenteve në facebook. Megjithatë, për dallim prej rastit të djalit të Kryeministrit, ku ishte përfunduar gjithë rasti brenda një periudhë rekord, në rastin e kërcënimit ndaj prokurorit Admir Shala, nuk ka veprime të ngjashme, dhe të njëjtit nuk ia kanë aprovuar mbrojtjen e afërt.

Ndryshe, mbrojtje të afërt gëzojnë krerët e lartë të shtetit dhe zyrtarë të tjerë që kalojnë mbi dhjetë të tillë, duke përfshi: Presidenten, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zv/kryeministrin e Jashtëm, Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Punëve të Brendshme, Kryeprokurorin e Shtetit, Drejtorin e Policisë së Kosovës, dy gjykatës dhe dy prokurorë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë