EKSKLUZIVE: Dorëzohet i shumëkërkuari për rastin “Medicus” Dr. Kenan Demirkol

1
Author

Gita LUSHI

Shkurt 9, 2016

Prishtinë, 9 shkurt 2016 – Është dorëzuar i shumëkërkuari prej drejtësisë kosovare mjeku turk Kenan Demirkol si i dyshuar për përfshirje në transplantimin e organeve i njohur prej rastit “Medicus”. Dorëzimi i tij është bërë më 25 janar të këtij viti, pas negociatave që kishte zhvilluar Demirkol me drejtësinë kosovare përmes avokatit të tij Ismet Shufta. Ky i fundit për “Betimin për Drejtësi” ka thënë se mjeku Demirkol është dorëzuar vullnetarisht dhe ka shfaqur gatishmërinë e tij që të përballet me hetimet në çdo fazë. “Mjeku më ka kontaktuar vet dhe më ka kërkuar që të dorëzohet në mënyrë që të hiqet fletë arresti ndërkombëtar ndaj tij, pasi ishtë në kërkim nga Interpol”, tha avokati Shufta. Më pas, ai thotë se kishte drejtuar një shkresë në organet gjyqësore, duke shprehur gatishmërinë e klienti të tij që me disa kushte të ofrohej për drejtësinë në Kosovë.

“Në shkresë kam treguar se mjeku Demirkol dëshiron të jap deklaratë, por kushti i tij ka qenë që hiqet fletë arresti dhe mos të ndiqet nga organet e ndjekjes”, tha Shufta për “Betimin për Drejtësi”.

Bazuar në shkresat e lëndës së rastit “Medicus”, rezulton se pas shpalljes së aktgjykimit për  rastin e njohur si “Medicus 1”, ishin zgjeruar hetimet ndaj 9 personave, në mesin e të cilëve ishte edhe mjeku turk Kenan Demirkol. Avokati Shufta thotë se hetimet për këtë rast ishin pezulluar gjatë vitit 2014, për shkak se kishte persona të paarritshëm për drejtësinë kosovare.

Dorëzimi i Demirkolit më 25 janar të këtij viti dhe dhënia e deklaratës së tij në Prokurorinë Speciale, ka bërë që të hiqet flet-arresti ndaj tij dhe të vazhdojnë hetimet për rastin e njohur “Medicus2” .

Gjatë deklarimit të tij në Prokurorinë Speciale, mjeku Demirkol ka mohuar përfshirjen e tij në transplantim organesh. Ai gjithashtu mësohet se ka mohuar po ashtu deklaratat e dëshmitarëve, se kishte kryer transplantime, ka mohuar regjistrin e anasteziologëve, ku figuronte emri i tij si pjesëmarrës në operacionet e transplantimit të veshkave që ishin kryer në klinikën “Medicus”.

Mjeku Kenan Demirkol, ka pranuar se i njeh mjekët e përfshirë në rastin “Medicus”, dhe se kishte kryer operacione me ta, por jo operacione të transplantimeve, por operacione të përgjithshme.

Avokati Shufta thotë se më herët ishte kontaktuar shpesh edhe nga mjeku tjetër turk po ashtu i kërkuar nga “Interpol” Dr. Josuf Somnez, i cili po ashtu e kishte shqyrtuar mundësinë e dorëzimit të tij tek organet e ndjekjes në Kosovë. Tash për tash, Somnezi, sipas avokatit Shufta, nuk po kërkohet vetëm nga Kosova, por edhe nga Federata e Rusisë.

FILE - In this Jan. 12, 2011 file photo, police escort Turkish doctor Yusuf Sonmez, 53, to a local court in Istanbul, Turkey. Sonmez, who allegedly performed transplants at a clinic in Kosovo said to be used by an international organ trafficking network for dozens of illegal operations, remains at large and is being sought by European Union prosecutors in charge of an organ trafficking case. (AP Photo/Ibrahim Usta, File)

Ndërkohë, në prill 2013 gjykata kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj  të akuzuarëve në rastin “Medicus”, por ky vendim ende nuk është vendosur në instancat më të larta gjyqësore. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila kishte zhvilluar 106  seanca gjyqësore prej tetorit 2011, ishte dënuar Lutfi Dervishi me 8 vjet burg e 10 mijë euro, djali i tij, Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë, Sokol Hajdini me 3 vjet burg, si dhe  anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla me nga me 1 vit me kusht që të mos përsërisin veprën e njëjtë penale.

Ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë,Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm, ndërsa  Driton Jilta i pati shpëtuar  dënimit, pasi vepra për të cilën ai akuzohej ishte vjetërsuar.