Ehat Miftaraj: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një absurd juridik

Ehat Miftaraj..
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 13, 2021

Prishtinë – Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, një e drejtë kushtetuese është ulur në një të drejtë ligjore, gjë e cila përbën një absurd juridik dhe se në emër të integritetit, në mënyrë të gabuar është bërë interpretimi i kufizimit për të drejtën për t’u zgjedhur.

Këtë deklaratë , Miftaraj e ka bërë gjatë tryezës virtuale “Kush ka drejtë të kandidojë në zgjedhje?”, të organizuar nga IKD, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar nëse Kushtetuta, neni 45 është në pajtim me nenin 29 të Ligjin për Zgjedhjet, që sipas mendimit tim përbën një absurd juridik i cili ka prodhuar pasoja tjera me të cilat sot po ballafaqohemi. Në emër të integritetit unë besoj që Gjykata Kushtetuese duke u munduar që ta arsyetoj përmes disa mendimeve apo opinioneve që ka marrë nga Forumi i Komisionit të Venecias nga shtetet e caktuar, në mënyrë të gabuar e ka arsyetuar këtë, gjithmonë me qëllim të arritjes së cakut final, e që ka qenë kufizimi i të drejtës për t’u zgjedhur, duke anashkaluar drejtësinë penale dhe duke anashkaluar atë që përcakton Kodi Penal dhe parimet në të. Përmes integritetit, padyshim që Gjykata Kushtetuese e ka ngritur standardin që në Kuvend të mos kemi të dënuar në tre vitet e fundit por që këtë e ka bërë në dëm të asaj që quhet siguri juridike”, ka thënë Miftaraj.

Tutje, ai ka shtuar se për Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatësit e kësaj gjykate është me rëndësi siguria juridike dhe ajo që përcakton Kushtetuta dhe Ligji, e jo që të dëshmohet se sa e dëmton integritetin e Kuvendit një person i cili është dënuar apo ka probleme me ligjin. /BetimipërDrejtësi