Ehat Miftaraj: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë arbitrare kufizon të drejta të garantuara me Kushtetutë

Ehat Miftaraj..1
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 13, 2021

Prishtinë – Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për ndalimin e kandidimit në zgjedhje të personave të cilët janë të dënuar në tri (3) vitet e fundit me aktgjykim të formës së prerë paraqet shkelje arbitrare të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Këto komente Miftaraj i ka bërë gjatë tryezës virtuale “Kush ka drejtë të kandidojë në zgjedhje?”, të organizuar nga IKD, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese kufizon në mënyrë arbitrare të drejta të cilat janë të garantuara me kushtetutë. Ky vendim do të duhej të garantonte siguri juridike, por se fatkeqësisht nuk e ka bërë këtë. Përkundër kësaj, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese në formën si është nxjerrë është obligativ dhe duhet të zbatohet nga secili institucion. Secili kandidat i pakënaqur me vendimin e KQZ-së ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme e potencialisht më pas kjo çështje mund të përfundojë përsëri në Gjykatën Kushtetuese”.

Tutje, Miftaraj tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nuk e shpjegon se çfarë realisht ka ndodhur në komunikimin në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e tregon se çfarë realisht ka ndodhur në komunikimin në mes të KQZ-së dhe KGJK-së. KQZ në këtë rast e ka pas para vetes një vendim të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të vitit 2017, në rastin e ish-deputetit Zafir Berisha, që është dashur ta zbatojë”, ka thënë ai. /BetimipërDrejtësi