Edhe stafi administrativ i Gjykatës së Malishevës nga sot ka filluar grevën

Raporton: Hajrije Krasniqi

Malishevë – Nga kjo e martë edhe stafi i administratës së Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, iu është bashkangjitur grevës.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës (SPJK) në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, Avdyl Gashi e ka konfirmuar se i gjithë stafi administrativ janë në grevë.

“Po jemi në grevë, dhe kërkesat e tona janë të njëjta me kërkesat e sindikatave të gjykatave të tjera”, ka thënë Gashi.

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë dega në Malishevë, greva për momentin ka pezulluar seancat gjyqësore, në përjashtim të rasteve të paraburgimit dhe atyre të dhunës në familje.

Ndërsa, në një përgjigje elektronike të dhënë  për “Betimi për Drejtësi”, ndihmës administratori i Gjykatës Themelore në Gjakove, dega në Malishevë, Bardhyl Krasniqi, ka thanë se janë anuluar gjithsej shtatë seanca për shkak të grevës.

“Meqenëse e gjithë administrata e Gjykatave gjendet ne grevë, edhe  administrata e Gjykatës Themelore Gjakovë, dega në Malishevë gjendet në grevë, ju  njoftojmë se numri i seancave që janë anuluar për shkak te grevës janë këto, 4 seanca lëndë penale ‘lëndim i lehtë truporë’, 1 seancë  lëndë penale ‘kanosje’, dhe  2 seanca lëndë penale ‘vjedhje e shërbimeve’”, thuhet në përgjigjen e Krasniqit.

Ndryshe, me 14 mars 2022, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës (SPJK) ka njoftuar se nga  15 mars 2020 të gjitha Gjykatat dhe Prokuroritë në Kosovë, do të hyjnë në grevë.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Florent Krasniqi, anëtar i kryesisë së SPJK-së dhe njëherësh udhëheqës i shtabit grevist./ BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë